Bota

Franca voton të dielën për presidentin e vendit

Të dielën francezët do të vëndosin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit. Presidenti Macron përballet në balotazh me rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, një përsëritje e skenarit të pesë viteve më parë. Për dy dekadat e fundit, qyteti i vogël Shatoda (Chateaudun), në jugperëndim të Parisit, ka shërbyer si tregues se për kë do të votojë pjesa tjetër e vendit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant, ishte në këtë qytet për biseduar me banorët se për cilin kadidat do të votojnë në balotazhin e së dielës.

Qyteti piktoresk në Luginën Lua (Loire) është i njohur për monumentet e tij historike, por edhe si tregues i prirjeve politike të Francës. Votimet në këtë qytet për vite me radhë kanë pasqyruar prirjen politike të vendit. Zëri i Amerikës bisedoi me kryetarin e bashkisë Fabien Verdier.

“Kemi gjithçka këtu. Që nga bujqësia e deri tek industria, çfarë e bën qytetin tonë të duket si zemra e Francës.”

Në vitin 2002, presidenti Zhak Shirak i qendrës së djathtë, fitoi shumicën e votave të 13,000 banorëve të qytetit Shatoda. Në vitin 2007, pasardhësi i tij, Nicolas Sarkozy mori votën e tyre – po ashtu socialisti Francois Hollande në 2012 dhe presidenti aktual, Emmanuel Macron, në 2017.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Në fillim të muajit, vota e banorëve të qytetit ishte pasqyrim i votës në shkallë kombëtare gjatë raundit të parë zgjedhor. Presidenti Macron përballet të dielën me Marine Le Pen-in e ekstremit të djathtë.

Banori i këtij qyteti, Antoine Maestracci, thotë se e ka vëndosur se për kë do të votojë.

“Po zgjedh zotin Macron. Mendoj se ai është serioz, i ndershëm, punëtor. Ai nuk do të marrë vendime të këqija për popullin francez. Nuk pajtohem me palën tjetër.”

Aktualisht sondazhet tregojnë se zoti Macron ka të ngjarë ta fitojë balotazhin. Por shumë francezë, në mbarë vendin dhe në këtë qytet, janë ende të pavendosur, çfarë ngre pikëpyetje mbi rezultatin.

“Macroni nuk më përfaqëson mua dhe Le Peni nuk është dikush që më pëlqen shumë”, thotë për Zërin e Amerikës studentja Carla Dacunha.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Por e djathta ekstreme duket më pranë fitores se kurrë. Dy dekada më parë, babai i zonjës Le Pen humbi balotazhin presidencial me një diferencë të thellë. Por balotazhi i së dielës mund të rezultojë ndryshe.

“Marine Le Pen ka argumenta të mira… do të shohim nëse ajo i mban premtimet. Mund të jetë si të gjithë presidentët e tjerë që premtojnë shumë, por realizojnë vetëm gjysmën. Por një grua në pushtet mund të jetë interesante”, thotë Nicolas Metereau, banor i qytetit Shatoda.

Kryebashkiaku Verdier thotë për Zërin e Amerikës se votuesit ndoshta duan diçka tjetër, larg tradicionales.

Votuesit shohin tek ajo atë që i ka munguar së majtës dhe së djathtës gjatë 30-40 viteve. Për të provuar diçka tjetër. Mospajtim me politikën dhe kandidatët tradicionalë. Votuesit duan rezultate për të ndryshuar Francën.”

Zoti Verdier thotë se nuk mund të parashikojë se si banorët e qytetit të tij dhe pjesa tjetër e Francës mund të votojë këtë të dielë./voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *