Ligjërata e Nobelit e William Butler Yeats më 15 dhjetor 1923
WILLIAM BUTLER YEATS
LËVIZJA DRAMATURGJIKE IRLANDEZE
Ligjërata e Nobelit, 15 dhjetor 1923
Përktheu: Avni Spahiu
Kam zgjedhur temë Lëvizjen dramatike irlandeze ngaqë, kur më kujtohet nderi i madh që më keni dhënë, nuk mund të harroj aq shumë njerëz të njohur e të panjohur. Mbase komitetet angleze nuk do t’jua kishin dërguar kurrë emrin tim po të mos kisha shkruar drama, po të mos kisha shkruar kritika dramash, sikur poezia ime lirike të mos kishte cilësinë e të folurit që luhet në skenë, mbase edhe – ndonëse kjo mund të mos ketë qenë pjesë e mendimit të tyre të qëllimshëm – sikur kjo të mos ishte, në njëfarë mase, simbol i një lëvizjeje. Dëshiroj t’i tregoj Akademisë Mbretërore të Suedisë për mundin, ngadhënjimet dhe shqetësimet e njerëzve që punojnë si unë.
Letërsia moderne e Irlandës dhe, në të vërtetë, i tërë ai trazim mendimesh që gatitej për Luftën Anglo-Irlandeze, zuri fill me rënien e Parnellit nga pushteti më 1891. Një Irlandë e zhgënjyer dhe e hidhur hoqi dorë nga politika parlamentare; një ngjarje mori fill dhe gara filloi, sa më duket, sa për t’u trazuar nga ngjizja e gjatë e asaj ngjarjeje. Dr. Hajd themeloi Ligën Galike e cila do ta zëvendësojë për vite me radhë argumentin politik me një gramatikë galike, kurse takimet politike me tubimet fshatare, ku këndoheshin këngë dhe tregoheshin rrëfime në gjuhën galike. Në ndërkohë, unë kisha nisur një lëvizje në anglisht, në gjuhën në të cilën Irlanda moderne mendon dhe kryen punët e veta; themelova disa shoqëri në të cilat nëpunësit, punëtorët, njerëz të të gjitha klasave, do të mund të mësonin për ata poetë, romancierë dhe historianë irlandezë që kishin shkruar në anglisht dhe atë letërsi galike që ishte përkthyer në anglisht. Por, masa e madhe e popullit tonë, e mësuar me fjalime të pafundme politike, lexonte pak dhe kështu, që nga fillimi, menduam se duhej të kishin një teatër tonin. Teatrot e Dublinit nuk kishin asgjë për ta që ne do të mund ta quanim tonën. Ato ishin ndërtesa të zbrazëta të marra me qira nga kompani udhëtuese angleze, kurse ne donim drama irlandeze dhe aktorë irlandezë. Kur mendonim për këto drama, mendonim për çdo gjë që ishte romantike dhe poetike, ngaqë nacionalizmi që kishim ndezur – siç ka ndezur çdo brez në çaste dekurajimi – ishte romantik dhe poetik. Mirëpo, një teatër i tillë u bë i mundur vetëm pasi takova, më 1896, zonjën Gregory, anëtare e një familje të Galway family, që kishte kaluar jetën mes dy shtëpive Galway, shtëpinë ku ishte lindur dhe në shtëpinë ku ishte martuar. Gjithandej saj jetonin fshatarë të cilët tregonin rrëfime në një formë të anglishtes, që kishte një pjesë të madhe të sintaksës së galishtes, një masë të madhe të fjalorit nga anglishtja e tudorëve, por që ne zbuluam shumë ngadalë, në atë të folur të tyre, instrumentin tonë më të fuqishëm dramatik dhe jo para se ajo të zinte të shkruante. Ndonëse dramat e mia ishin shkruar pa dialekt dhe në ‘vargun e bardhë’, sikur atë e tërhoqi lëvizja jonë ngaqë tematika e tyre ndryshonte, por fare pak tematika e rrëfimeve fshatareske. Shtëpia e saj është ruajtur nga prania e saj, por shtëpia në të cilën ajo kishte lindur u dogj nga zjarrvënësit para disa muajsh; dhe ka pasur çrregullime të ngjashme në pjesën më të madhe të Irlandës. Një zënkë sa për t’u thënë rreth një pëllëmbë toke mund t’i shndërrojë njerëzit tanë në bisha të egra dhe nëse në luftën e tyre me policinë ndihmëse angleze ishin të pamëshirshëm, ishin edhe këtu: vrasja përgjigjej me vrasje.
Megjithëkëtë, injoranca dhe dhuna mund ta njohin edhe bukurinë më fisnike. Në Galway kam një kullë të vogël të vjetër dhe kur hip në majë të saj, mund të shoh, jo shumë larg, një fushë gjelbëroshe ku më parë qëndronte kasollja prej kashte e një bukurosheje të njohur të fshatit, mbretëresha e një pronari të vogël tokash. Kam folur me pleq e plaka, që e mbanin në mend, ndonëse që të gjithë nuk jetojnë më dhe ata më flisnin për të siç kanë folur të vjetrit për Helenën nga muret e Trojës. Në përshkrimin e saj nuk dallonin as burrë as grua. Një plakë, për rininë e së cilës bashkëfshatarët ruanin një rrëfim skandaloz, më tha për të: “Dridhem në tërë trupin kur mendoj për të”. Kishte dhe një grua tjetër plakë në malësinë e afërt, që thoshte: “Dielli dhe hëna nuk rrezatuan kurrë mbi dikë aq të bukur dhe lëkurën e kishte aq të bardhë saqë ngjante me të mavi, kurse në faqe kishte ca të skuqura të vogëlza”. Dhe, kishte burra që flisnin për turmat e njerëzve që tuboheshin për të shikuar atë në ditë të bukura dhe për një burrë “i cili kishte gjetur vdekjen duke notuar në një lumë”, që të mund ta shikonte. Kishte dhe një këngë të shkruar nga poeti galik Raftery, që i solli asaj aq shumë famë dhe të cilën fshatarët ende e këndojnë, ndonëse nuk janë aq të shumtë ata që e këndojnë, sa ç’kanë qenë kur kam qenë i ri:
Rruga Press