Navalny paralajmëron mbështetësit e Le Penit para balotazhit
Lideri i burgosur opozitar i Rusisë, Alexei Navalny, ka ndërhyrë në fushatën e ngushtë presidenciale të Francës të mërkurën, duke u kërkuar votuesve të mbështesin Emmanuel Macronin dhe duke pretenduar se kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, është e lidhur shumë ngushtë me Rusinë, raportoi AP-ja.
Pyetje për lidhjet e Le Penit me Moskën u ngritën pesë vjet më parë kur ajo humbi në garën presidenciale ndaj Macronit dhe ato janë ngritur sërish në mes të luftës në Ukrainë të nisur nga presidenti rus Vladimir Putini. Ajo pati theksuar se e dënon pushtimin e 24 shkurtit.
Postimi nga ekipi i Navalnyt, disa orë para debatit final mes dy kandidatëve francezë, ka kërcënuar rrugën e qetë të Le Penit drejt balotazhit të së dielës kundër Macronit.
Në debat, Macroni sulmoi Le Penin se është e varur nga Rusia.
Në një konferencë për media para postimit të Navalnyt, Le Peni mbrojti veten kundër dyshimeve se i detyrohet Kremlinit për shkak të borxhit që partia e saj pati marrë prej 9 milionë eurosh nga Banka Çeko-Ruse. Ajo tha se nuk besonte se kjo bankë ishte nën urdhrat e liderëve rusë.
Rruga Press