Lufta në Ukrainë, pozicioni i vendeve anëtare të BE-së lidhur me ndërprerjen e naftës dhe gazit rus
Ministrat e Bashkimit Evropian kanë diskutuar një rund të gjashtë të mundshëm sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, mirëpo një embargo ndaj naftës ose gazit për ta ndaluar financimin e makinës së luftës së Putinit po vazhdon të shkaktojë kundërthënie në bllokun e BE-së.
Bashkimi Evropian ka paguar 35 miliardë euro për energjinë ruse që nga fillimi i luftës, tha kryediplomati i BE-së Josep Borrell. Në vitin 2021, BE importoi afërsisht 40% të gazit dhe 25% të naftës së saj nga Rusia.
Ka plane për një ndalim total të importeve të qymyrit rus, por vetëm nga muaji gusht dhe vlera e tyre është shumë më e ulët se ajo e naftës dhe gazit.
Presidenti i Ukrainës Zelenskyy i ka kërkuar Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj naftës ruse dhe ta caktojë një afat kohor për përfundimin e importeve të gazit nga vendi.
Brenda bllokut të BE-së Gjermania, Italia, Austria dhe Hungaria në veçanti janë shumë të varura nga gazi rus.
Shtatëmbëdhjetë vende të BE-së i janë përgjigjur një oferte nga Komisioni Evropian për të ofruar ekspertizë teknike për t’i ndihmuar ata ta largojnë gradualisht varësinë e tyre nga karburantet fosile ruse.
Austria
Austria i ka përjashtuar sanksionet për importet e naftës dhe gazit nga Rusia.
“Nëse sanksionet godasin veten më shumë se tjetrin, mendoj se kjo nuk është rruga e duhur,” ka deklaruar ministri i financave Magnus Brunner më 4 prill.
Kancelari Karl Nehammer, i cili u takua me Vladimir Putin në Moskë më 11 prill, tha se ai pret më shumë sanksione të BE-së kundër Rusisë, por e mbrojti kundërshtimin e vendit të tij ndaj ndërprerjes së furnizimit me gaz.
“Për sa kohë që njerëzit po vdesin, çdo sanksion është ende i pamjaftueshëm,” tha ai.
Austria është ushtarakisht neutrale dhe nuk është anëtare e NATO-s.
Belgjika
Kryeministri belg Alexander De Croo ka bërë thirrje që sanksionet kundër Rusisë të jenë më të rënda për të pasur efekt në Kremlin.
Ai e ka vënë në pah nevojën për transformimin e energjisë dhe për t’i dhënë fund varësisë nga karburantet fosile ruse, por nuk ka kërkuar një embargo.
“Ne nuk jemi në luftë me veten”, tha De Croo në një samit në Bruksel më 25 mars. “Sanksionet duhet të kenë gjithmonë një ndikim shumë më të madh ndaj palës ruse sesa ndaj nesh”.
Ministri i Financave i Belgjikës, Vincent Van Peteghem, tha më 4 prill se vendi i tij nuk është kundër veprimeve të targetuara kundër naftës dhe qymyrit rus.
Bullgaria
Bullgaria është veçanërisht e varur nga gazi rus, marrëveshja e saj me Gazprom i siguron pothuajse të gjitha nevojat e saj.
Megjithatë, në mars qeveria bullgare tha se nuk do të zhvillojë bisedime për rinovimin e kontratës 10-vjeçare që skadon në fund të këtij viti, në përputhje me strategjinë e BE-së.
Zëvendëskryeministri Assen Vasilev tha se Bullgaria do të kërkojë për furnizime alternative. Një tubacion i ri me Greqinë do të bëhet funksional në vitin 2022 dhe Bullgaria ka arritur një marrëveshje për të marrë më shumë gaz nga Azerbajxhani.
Kroacia
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç thuhet të ketë deklaruar në një samit të fundit të BE-së se vendi i tij kishte eliminuar pothuajse plotësisht varësinë e tij nga gazi rus duke ndërtuar një terminal të ri dhe duke kërkuar të rrisë kapacitetin në një tjetër.
Ai tha se do ka dëshirë ta shohë një perspektivë globale për ta mbajtur kontrollin mbi çmimet e gazit dhe e kishte ngritur këtë çështje me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen.
Qipro
Qiproja shprehu rezervat e saja ndërkohë që BE përgatiste plane për t’i ndaluar anijet ruse nga portet e BE, duke përmendur dëme të mundshme në sektorin e saj të transportit.
Ishulli i Qipros nuk është i lidhur me rrjetin energjetik evropian dhe importon shumicën e naftës nga vendet e tjera të BE-së. Ministri i saj i energjisë i ka përshkruar si një “ndryshues të lojës” projektet e reja të energjisë për të ofruar gaz nga Mesdheu lindor.
Republika Çeke
Republika Çeke është një nga vendet e BE-së që do të goditet më rëndë nga një embargo e plotë ndaj energjisë ruse, sipas Këshillit Francez të Analizës Ekonomike. Mendohet se një ndalim i plotë mund të shkaktojë një goditje në ekonomi me një për qind të prodhimit të saj ekonomik.
Qeveria çeke ka thënë se po bën plane emergjence për të gjithë skenarët, përfshirë atë ku furnizimet nga Rusia janë ndërprerë.
Danimarka
Danimarka ka qenë në krye të vendeve evropiane që kanë bërë thirrje për një transformim të madh të gjelbër për t’i dhënë fund varësisë së kontinentit evropian nga karburantet fosile ruse. Paketa e BE-së “Fit for 55” kërkon shkurtime më të shpejta të emetimeve dhe përhapje të burimeve të rinovueshme, krahas rritjes së kursimeve të energjisë.
Danimarka po kërkon gjithashtu burime alternative të gazit. Puna ka rifilluar në Danimarkë për projektin Baltic Pipe, një tubacion nga Norvegjia në Poloni. Pas një pezullimi nëntë-mujor mes shqetësimeve mbi ndikimin në jetën e egër, një javë pas pushtimit të Ukrainës u dha një leje për vazhdimin e ndërtimit.
Lidhja e planifikuar prej 900 kilometrash ka për qëllim kryesisht ta ndihmojë Poloninë ta zvogëlojë varësinë e saj nga gazi natyror rus.
Estonia
Qeveria estoneze ka pranuar publikisht t’i ndërpresë të gjitha lidhjet e gazit dhe naftës me Rusinë deri në fund të vitit – “në parim”. Kjo do ta vinte në hap me fqinjët baltik, Lituaninë dhe Letoninë, të cilët pretendojnë se i kanë ndaluar të gjitha importet ruse të energjisë që nga fillimi i prillit.
Në mars, qeveria estoneze propozoi përdorimin e të ardhurave për gazin dhe naftën ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, duke ndjekur modelin e programit të OKB-së ‘Oil for Food’ (OIP) të vitit 1995, i cili u krijua në vitin 1995. Kjo i lejoi Irakut të shiste naftë vetëm në këmbim për furnizime humanitare, si ushqime dhe ilaçe.
Finlanda
Në muajin prill, kryeministrja finlandeze Sanna Marin shprehu dëshirën e saj për “t’i hequr qafe lëndët djegëse fosile ruse”, duke thënë se vazhdimi i importeve të energjisë nga Rusia “po mbështeste dhe financonte” luftën.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët kanë vënë në dukje se si disa boshllëqe dhe dispozita në politikën finlandeze ende i lejojnë importet ruse të energjisë, të tilla si një periudhë mospagimi prej katër muajsh për importet e qymyrit.
Greenpeace Suomi (Finlandë) vuri në dukje se një “zbrazëtirë tranziti” ka mundësuar që produktet ruse të energjisë të hyjnë në Finlandë nga Siberia.
“Njerëzit po vriten,” tha Matti Liimatainen nga kjo organizatë. “Dhe ne po e financojmë atë.”
Franca
Në krahasim me ekonomitë e tjera të mëdha evropiane, Franca nuk është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse. Krahasuar me Gjermaninë dhe Italinë, të cilat importojnë 40 deri në 50 për qind të gazit të tyre nga Rusia, pjesa e Francës në gazin rus është vetëm 25 për qind, ku ofruesi kryesor i vendit është Norvegjia (35 për qind).
Qeveria e Francës ka treguar një gatishmëri për t’i ndaluar importet e naftës ruse, me ministrin e financave Bruno Le Maire që i tha CNN se Franca “të qëndrojë gati të shkojë më tej dhe të vendosë një ndalim të naftës”.
Ai shtoi se ishte “thellësisht i bindur se hapat e ardhshëm dhe diskutimet e ardhshme do të fokusohen në këtë çështje të ndalimit të naftës ruse”.
Franca është aktualisht në mes të një zgjedhjeje shumë të ngushtë presidenciale midis kryeministrit aktual Emmanuel Macron dhe kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
Le Pen ka propozuar lidhje më të ngushta NATO-Rusi në të kaluarën dhe ka të ngjarë të sjellë një ndryshim të politikës dhe tonit ndaj Rusisë nëse ajo zgjidhet.
Që të dy do të futen ballë për ballë në një raund përfundimtar zgjedhor më 24 prill.
Gjermania
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka qenë një nga më të rezervuarat për ta shqyrtuar një embargo totale ndaj energjisë ruse. Kancelari Olaf Scholz ka paralajmëruar se një ndërprerje e papritur do ta zhyste “të gjithë Evropën në një recesion”.
Megjithatë, ministri gjerman i ekonomisë thotë se vendi tashmë e ka ulur varësinë e tij nga energjia ruse që nga pushtimi i Ukrainës.
Importet ruse të naftës kanë rënë nga 35% në 25%, dhe importet e gazit nga 55% në 40%, tha Robert Habeck.
Greqia
Kryeministri grek ka deklaruar më 12 prill se po bëhen përpjekje për ta përshpejtuar kërkimin e gazit për ta reduktuar varësinë nga energjia ruse.
Greqia merr rreth 40% të nevojave të tij për energji nga Rusia.
Hungaria
Hungaria është shumë e varur nga energjia ruse dhe kryeministri i saj nacionalist i kundërshton sanksionet ndaj Rusisë – megjithëse e ka miratuar ndalimin e qymyrit. Viktor Orbán është zotuar të vërë veton ndaj çdo përpjekjeje për të vendosur një embargo të energjisë sepse, sipas tij, kjo do të jetë “vrasëse” përvendin e tij.
Irlanda
Irlanda është e lirë nga varësia e drejtpërdrejtë ruse energjetike. Ajo nuk importon asnjë gaz natyror nga Rusia, pasi ka fushën e saj të gazit në brigjet e County Mayo. Pjesa tjetër – rreth 70 për qind – importohet nga Britania fqinje.
Falë pjesërisht kësaj lirie, qeveria irlandeze ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër Rusisë, duke shprehur mbështetjen e saj për sanksionet në mbarë BE-në. Duke folur në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme Simon Coveney pretendoi se Irlanda kishte një qasje “maksimaliste” ndaj sanksioneve kundër Moskës.
Irlanda shumë zëshëm ka avokuar për ndërprerjen e të gjitha importeve të energjisë nga Rusia.
Italia
Italia, një tjetër ekonomi e madhe e BE-së, e rriti varësinë e saj nga gazi rus gjatë viteve teksa u largua nga qymyri. Zyrtarët italianë thonë se Rusia furnizon 38% të gazit natyror të përdorur për energjinë elektrike dhe për industrinë e rëndë, duke përfshirë fabrikat e çelikut dhe letrës.
Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio, i cili ka udhëtuar në vendet prodhuese të energjisë duke kërkuar alternativa, i tha agjencisë së lajmeve ANSA se “Italia nuk mund ta vërë veton ndaj sanksioneve në lidhje me gazin rus”.
Por kryeministri Mario Draghi, i cili ka thënë se pagesat e gazit po e financojnë luftën e Rusisë, nuk iu adresua energjisë në një përgjigje publike ndaj qarkullimit të pamjeve të trupave në rrugët e Ukrainës.
Më 11 prill, Italia nënshkroi një marrëveshje me Algjerinë për ta reduktuar varësinë e saj nga karburantet fosile ruse. Algjeria është aktualisht furnizuesi i dytë më i madh i Italisë me gaz, duke dërguar 21 miliardë metra kub gaz në këtë vend. Kjo krahasohet me 30 miliardë metër kub që merr nga Rusia.
Letonia
Së bashku me shtetet e tjera baltike, Letonia deklaroi se nuk është më e varur nga importet e gazit dhe naftës ruse. Qeveria letoneze i ka mbrojtur sanksionet e lidhura me energjinë ndaj Rusisë.
Më 25 mars, kryeministri letonez Arturs Karins tha se vendet e tjera të BE-së duhet të konsiderojnë masa të tilla si një mënyrë për të ndaluar luftën në Ukrainë.
“Sanksionet e energjisë janë një mënyrë për t’a ndaluar rrjedhjen e parave në arkat e luftës së Putinit”, tha ai në Bruksel.
Lituania
Më 2 prill, Lituania tha se kishte ndaluar tërësisht importet e energjisë nga Rusia, duke e bërë atë vendin e parë në BE që ndërpreu lidhjet energjetike me Moskën.
Lituania ishte “vendi i parë i BE-së midis vendeve furnizuese të Gazprom që e fitoi pavarësinë nga gazi rus”, tha ministri i Energjisë Dainius Kreivys, duke shtuar se kjo ishte për shkak të “një politike koherente energjetike shumëvjeçare dhe vendimeve në kohë të infrastrukturës”.
Ky vendim u përkrah gjithashtu nga presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Luksemburgu
Luksemburgu aktualisht është i ndarë nëse do t’i synojë më tej importet e gazit dhe naftës ruse.
Megjithatë, Grand Duchy e konsideron veten të përgatitur për një ndalim të mundshëm në mbarë BE-në të importeve të qymyrit nga Rusia.
Në radion lokale, ministri i Energjisë, Claude Turmes tha “për ne në Luksemburg [ky] nuk është problem, sepse mezi na nevojitet ndonjë.” Turmes gjithashtu postoi në Tëitter më 22 mars se “rrethanat e jashtëzakonshme […] kanë nevojë për vendime të jashtëzakonshme – u bëj thirrje ministrave të IEA për t’i diskutuar planet e Dr Birol si për naftën ashtu edhe për gazin.”
Malta
Malta nuk varet nga importet e gazit dhe naftës ruse për energjinë e saj.
Duke folur për Times of Malta, ministrja e Energjisë Miriam Dalli tha se “si vend, kur bëhet fjalë për gazin natyror të lëngshëm, ne nuk jemi të varur nga Rusia”.
Ajo vuri në dukje se ky vend mesdhetar nuk kishte kontrata energjetike me Rusinë. 17 për qind e energjisë malteze vjen nga rrjeti energjetik evropian, i cili është sjellë nga ishulli italian i Siçilisë.
Holanda
Përafërsisht 15 për qind e gazit që vjen në Holandë vjen nga Rusia.
Kryeministri holandez Mark Rutte pretendon se Holanda nuk mund ‘i ndërpresë të gjitha furnizimet me lëndë djegëse fosile nga Rusia, duke thënë se ata “kanë nevojë për furnizim” dhe kjo ishte “e vërteta e hidhur”.
Polonia
Polonia është lidhur ngushtë me shtetet baltike duke rënë dakord t’i shkurtojë të gjitha importet e saj të energjisë ruse – edhe pse, në këtë rast, deri në fund të vitit.
Ky shtet i Evropës Lindore, i cili ka pranuar 2.5 milionë refugjatë ukrainas (më i larti në BE) ka marrë afërsisht 40% të furnizimit të tij me gaz nga Rusia në vitin 2020.
Megjithatë, në një vendim që ai e përshkroi si “më radikalin” në Evropë, kryeministri polak Mateusz Moraëiecki pretendon se Polonia do t’i heqë gradualisht importet e qymyrit në muajt e ardhshëm dhe do ta ndalojë naftën dhe gazin deri në dhjetor.
Portugalia
Qeveria portugeze ka thënë se është e gatshme t’imbështesë sanksionet kundër importeve të gazit dhe naftës ruse.
Krahasuar me vendet e tjera të BE-së, Portugalia nuk mbështetet shumë në naftën dhe gazin rus. Ajo merr një pjesë dukshëm më të madhe të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme, veçanërisht nga dielli.
Më 11 prill, ministri i jashtëm portugez João Gomes Cravinho tha se vendi do të mbështesë “intensifikimin” e sanksioneve ruse.
Rumania
Rumania dhe tri vende të tjera të Evropës Qendrore Lindore – Hungaria, Sllovakia dhe Polonia – kanë rënë dakord për një partneritet strategjik për t’i zhvilluar më tej rrjetet e tyre të hidrogjenit dhe për ta reduktuar nevojën për importet ruse të energjisë.
Rumania aktualisht ka një nga përqindjet më të ulëta të përqindjes së BE-së të furnizimit me gaz nga Rusia, me 10%.
Sllovakia
Sllovakia është shumë e varur nga importet ruse të karburanteve fosile si një burim energjie. Ky shtet merr rreth 85 për qind të gazit dhe 66 për qind të naftës së tij nga Rusia, që do të thotë se ndërprerja e lidhjeve mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në shtetin e Evropës Qendrore.
Në prill, qeveria sllovake tha se po i bashkohej BE-së duke refuzuar të paguante për gazin rus në rubla, pasi ministri i ekonomisë i vendit e tha të kundërtën.
Planet për ta reduktuar konsumin e energjisë nëpërmjet metodave më efikase të ngrohjes janë ofruar si alternativa ndaj lëndëve djegëse fosile ruse nga analistë në Sllovaki.
Sllovenia
Sllovenia është shumë e varur nga importet e gazit dhe naftës ruse. Kohët e fundit ajo shprehu një interes për marrjen e gazit nga një terminal LNG (gaz natyror i lëngshëm) në Kroaci.
Muajin e kaluar, kryeministri slloven Janez Jansha iu bashkua vendeve tjera të BE-së për t’i rezistuar kërkesës së Moskës që importet e energjisë duhet të paguhen në rubla për të mbështetur ekonominë e saj.
Spanja
Që nga pushtimi i Ukrainës, Evropa ka kërkuar alternativa ndaj lëndëve djegëse fosile ruse, të tilla si transportimi i LGN nga SHBA përtej Oqeanit Atlantik. Spanja e ka pozicionuar veten si një “qendër” e re e mundshme për importimin e LGN në Evropë.
Por një ndërhyrje e fundit e kryeministrit Pedro Sánchez në favor të Marokut në mosmarrëveshjen e tij me Algjerinë për Saharanë Perëndimore e ka vënë Spanjën në kundërshtim me Algjerinë, një nga furnizuesit kryesorë të gazit. Ky tension potencialisht mund të rezultojë në çmime më të larta të gazit në Spanjë dhe ta zvogëlojë oreksin e vendit për të sanksionuar gazin rus.
Qeveria spanjolle i ka bërë thirrje BE-së ta reduktojë varësinë e saj nga gazi rus. Spanja, një qendër e energjisë diellore, është më pak e varur nga Rusia.
Suedia
Suedia është më imune nga ndikimi i sanksioneve të energjisë ndaj Moskës, pasi nuk mbështetet shumë në importet ruse të energjisë.
Siç u raportua në mars nga Ministria e Bujqësisë, qeveria suedeze tha se “furnizimi i vendit është në një shkallë të ulët të varur drejtpërdrejt nga furnizimet ruse me energji dhe raportet tregojnë se furnizimet me energji nga Rusia po funksionojnë normalisht”.
Suedia, së bashku me Finlandën, po mendojnë për anëtarësimin në NATO në dritën e tensioneve të fundit gjeopolitike. Kjo shënon një zhvendosje nga politika e saj afatgjatë e neutralitetit.
Rruga Press