Bunkerët e fundit të rezistencës në Mariupoli sulmohen me raketa
Paralelisht me ofensivën në rajonin lindor të Donbasit, ku Rusia pretendon se ka shënjestruar një sërë objektivash ushtarakë, po zhvillohet edhe beteja për qytetin strategjik të Mariupolit.
Forcat speciale të Moskës kanë nisur sulmin kundër fabrikës së çelikut dhe hekurit të Azovstal, një prej bastioneve të fundit të rezistencës ukrainase ne qytetin port. Njoftimi vjen nga përfaqësuesi i milicive popullore të Donetskut, Eduard Basurin që mohon se në fabrikë janë strehuar edhe grupe civilësh. Por komandanti i batalionit Azov që vepron në Mariupol, Denys Prokopenko, pretendon se përveç ushtarëve që po mbrojnë qytetin në bunkerët e impiantit, janë strehuar edhe qindra gra dhe fëmijë, diçka që e dokumentoi edhe përmes videove të publikuara në rrjet.
Prokopenko tha se forcat ruse kishin hedhur bomba anti-bunker kundër fabrikës edhe pse e dinin se qytetarë të shumtë gjendeshin nëpër tunelë.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi i bëri thirrje ushtarëve ukrainas të grumbulluar në zonën industrial të Mariupolit të dorëzohen brenda mesditës. “Mjaft me këtë rezistencë të pakuptimtë”, bëjnë thirrje rusët sipas, AFP.
Rruga Press