Ditari i Fan Nolit në 1917-18, “zbuluar” nga Faik Konica
Ditari i Fan Nolit i mbajtur në vitet 1917-1918 zbulohet nga Faik Konica në arkivat e shoqërisë shqiptare në Amerikë “Vatra”, në kohën kur Konica ishte kryetar i saj. Ditari përfshin përkthime për gazetën e revistën, hartimin e letrave, telegrameve, letërkëmbimin me politikanët dhe presidentët e kohës, letërkëmbimet me degët e shoqërisë “Vatra”, mbarëvajtja e punëve, udhëtimet nga Bostoni në Philadelphia, Nju-Jork, Uashington mund të gjenden në këtë ditar të publikuar tj.
Aty zbulohet ngarkesa e madhe ditore të kryetarit të atëhershëm, lidhur me detyrat që binin mbi të në gazetën “Dielli” dhe revistën “Adriatike”, detyrat e shoqatës “Vatra”, mbledhjet e gjata, punët e kishës ortodokse shqiptare të Amerikës etj.
Në prag të 109 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”….
Si ishte e mbushur një ditë për Imzot Nolin në vitet 1917-1918? Përgjigjen e pyetjes na e jep Faik Konica, i cili e “zbulon” ditarin e Nolit në arkivat e Vatrës, në mungesë të Noli, pesë vite pasi e kishte shkruar, kohë kur Imzot Noli ndodhej në Shqipëri. Konica atë kohë ishte kryetar i Vatrës. Ai e gjeti ditarin në arkivat e Vatrës. Ditari zbulon ngarkesën e madhe ditore të Nolit, duke përballuar përvec punëve të Vatrës, mbledhjeve të gjata, punëve të Kishës edhe ato të Diellit e revistës Adriatike, edhe përkthime për gazetën e revistën, hartimin e letrave, telegrameve, përkthimeve; letërkëmbimin me politikanët, presidentët e kohës, diplomatët, degët e Vatrës, ambasadorin delegatët e Vatrës, udhëtimet nga Bostoni në Philadelphia, New York, Washington etj.
Konica shkruan: Në një pjesë të arshivave të Vatrës gjeta një Diary ose dritare të Peshkop Nolit, të mbajtur që me 13 korrik gjer me 17 gusht 1917, dhe nga 13 Korriku gjer me 21 të Shen ndreut 1918. Konica sqaron lexuesit e Diellit se ditari është personal dhe jo për botim. Pra ai nuk i kishte marrë aprovim Imzot Nolit për ta botuar.
Faik Konica gjykon :”duke qenë se ditari s’bën ndonjë zbulim të paduhur, as nget njeri, e mora persipër ta botoj me sigurinë që përfaqësonjësi i VATRËS në Shqipëri (Noli)do ta aprovojë botimin.”
Kryetari i Vatrës, z. Faik Konica, jep edhe këtë argument përse vendosi që ta botojë ditarin; Imzot Noli lot sot në Shqipëri një rol me rëndësi të madhe në jetën kombëtare; dhe pa fjalë këndonjësve do t’u interesojnë këto kujtime të njeriut, i cili në krye të Vatranëve dhe bashkë me vatranët lëftoj aq burrërisht n’Amerikë në një kohë kur fati i Shqipërisë ish në ballancë. Është vetëm për të ardhur keq që ky ditar mori funt aq shpejt(FK).
Le ta shfletojmë ditarin:
E PREMTE, KORRIK 13,1917.
Që më 2 pasdreke gjer më 9 të mbrëmjes u krye transferta e zyrave dhe u mbajt mbledhja e përbashkët e të dy Komisioneve.
Që me 9 gjer më 12 natën vazhdoi mbledhja e Komisionit të ri të Vatrës.
E SHTUNË, KORRIK 14-1917
Në mëngjes në ora 9 ktheva inglisht konditat e Kuvendit për depozitimin e të hollave të Ditës Tri Qershor dhe me 11 vajtëm në Bankat Shawmut National dhe Cosmopolitan Trust.
Me 1 pas dreke, mbledhja e Komisionit gjer më 4.
Me 4 gjer me 8 gatita për chairmanin telegramet për Presidentin e Amerikës, Fuqitë Aleate, Lord Lamington, Herbert, Durham, Elise Aubry. I çova një telegram Kastoldit dhe Mehmet Kontizes.
TË DIELËN, 15 KORRIK-1917
Me 3 P.M. konferencë inglisht për Kryqin e Kuq në Worcester.
Me 6 P.M. vajtëm të shohim vajzën Behare Sheme Myrte në shtëpi të grekut Pantazopullos. Mbeta në Worcester atë natë për këtë punë.
TË HËNËN, 16 KORRIK-1917
Në mëngjes me 10 vajta pashë gjykatësin e Worcester-it Z. William Forbes për t’u konsultuar për punën e çupës. Me 3 P.M. pamë avokatin Cowee. U ktheva në Boston natën.
TË MARTËN, 17 KORRIK-1917
Shkrova një letër për Mehmed Konitzën dhe një për ambasadorin Italian frëngjisht. Diktova disa letra shqip…
TË MËRKURËN, 18 KORRIK-1917
Nisa të bëj një kopje të qëruar të Rekordit të Kuvendit për ta botuar në gazetën DIELLI.
E ENJTE, 19 KORRIK-1917
-Bëmë gati qarkoren për ndihmat e fushatës Tri Qershor.
TË PREMTEN DHE TË SHTUNËN 20-21 KORRIK-1917
Vazhdova dhe mbarova kopjen e Rekordit. U ble Linotype i ri (për shtypshkronjën e Diellit).
E HËNË, 23 KORRIK 1917-
Hartova tekstet e telegrameve për Konferencën e Paqes së Parisit.
TË MARTËN, 24 KORRIK-1917
U nisa për në Washington, ku u poqa me Senatorin Hollis, Kongresmanin Tague, acting Secretary of State Polk, ambasadorin Italian Macchi di Cellere. Shkova nga Washingtoni të Dielën, 28 Korrik, shkova për Philadelphia.
TË ENJTEN, 2 Gusht- 1917
Konferencë shqip në Phialdelphia. Për këtë konferencë u shtërngova të rri dy ditë më tepër në Philadelphia. Pagova hotelin nga xhepi dhe s’mora asnjë çpërblim për konferencën.
E PREMTE, 3 GUSHT- 1917
U ktheva në Boston me 11 të natës. Teksta telegramin për Çamërinë, Lutje Italisë.
E ENJTE, 9 GUSHT- 1917
Me 7-12 natën mbledhje e Komisionit, e cila vazhdoi të Premten që me 9 të mëngjesit gjer më 10 të natës. Hartova Telegramin për Kastoldit dhe ambasadorit Italian për çështjen e Toskërisë.
E HËNË, 13 GUSHT- 2017
Shkrime për Diellin, nga që redaktori shkoi për të mbledhur pajtimet në Biddeford.
Shkrime për Diellin prapë të Martën dhe të Mërkurën 14 dhe 15 Gusht. Hartova Qarkore degëve të Vatrës për votimin Tri Qershor dhe pagesën e kesteve. Telegram Mehmed Konitzës për Konferencën e Fuqive neutrale në Christiania….
E PREMTE 17 GUSHT -1917
Diktova që nga 8 gjer me 17 të Gushtit 108 letra për punën e Vatrës dhe për disa pyetje atdhetarësh për çështje të ndryshme.
•••
KORRIK 13-1918
Hartova telegrame guvernes Ingleze, Aubrey Herbert-it, Mehmet Konitzës, Ministrit Amerikan të Luftës, ambasadorit inglisht në Washington për formimin e Regjimentit Shqiptar.
KORRIK 19-1918
Telegram Mehmet Kontzës për zgjedhjet e Kuvendit, telegram përhirimi Lordit Lamington për Shoqërinë Anglo- Shqiptare, letër Z-it Woods për vendimin e Kuvendit, letër fabrikave ,për vonimin e delegatëve të Kuvendit, letër Roosvelt-it, për të kërkuar një Pjekje etj.
KORRIK 20-1918
Telegram Presidentit Wilson pas vendimit të Kuvendit; telegram Rooseveltit për vrasjen e të birit, letër për Shawmut National Bank për transferimin e të hollave të Ditës Tri Qershor(Fushata për Shpëtimin e Shqipërisë).
KORRIK 21-1918
Mbledhaj e përbashkët e dy Komisioneve dhe trasferta e zyrave.
KORRIK 22-23- 1918
Përkthimi i raportit të Mehmet Konitzës, që u këndua në Kuvend, ishin 13 faqe të mëdha të shkruara me typewriter.
KORRIK 23-1918
Shkrova një artikull inglisht për gazetën Fitchburg”Daily News” kundër çpifjeve greke dhe kundër Esad Pashë Toptanit.
KORRIK 24-1918
Mora një letër nga ish Presidenti Roosevelti që të vete e ta pjek(takoj) në Harvard Club në New York.
KORRIK 25-26-1918
Të Mërkurën u nisa me trenin e natës dhe të Enjten, 25 Korrik 1918, u gdhiva në New York. U poqa me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kolonelin Roosevelt me 3 pas darke në Harvard Club.
Folëm përmi gjysëm ore. Koloneli Roosevelt më dha këtë lajmërim(message) për shqiptarët: “Jam i mendjes që indipendenca e Shqipërisë duhet restauruar dhe garantuar nga Fuqitë Aleate. Nga ana ime do të bënj ç’të më vinjë dorësh për të mprojtur të drejtat e Shqipërisë.” U ktheva nga New York-u me 26 Korrik pas drake.
KORRIK 27 -1918
Shkrova një letër inglisht nga ana e redaktorit të Diellit për Miss Durham, dhe një tjetër letër për një shqiptarofil skandinav, Z.Jorgensen në Red Wing.
KORRIK 29 -1918
Shkrova një letër për Mehmet Konitzën inglisht, nga ana e kryetarit të Vatrës.
KORRIK 31-1918
Shkrova një artikull të gjatë, si përgjigje të çpifjeve të Epiroteve, që u përmenda degëve me qarkore për botim në gazetat amerikane. Letër Censorit Naval.
GUSHT 1-1918
I dhashë një gazetari amerikan(Boston American) lendën dhe pikturat e nevojshme për një artikull të gjatë mbi Shqipërinë dhe Vatrën, me anë të Zotit Bodi.
GUSHT 2-3-1918
Bëra një raport për intervistën me ish presidentin Roosvelt dhe një raport për fjalimet që pata në Mayflower me Presidentin Wilson me 4 Korrik 1918.
GUSHT 5-1918
Letër Mehmet Konitzës dhe Lakos.
GUSHT 6-1918
Dërgova Bodin të marrë nga Z. Asa P. French një letër rekomande me anën e së cilës të kërkonj një pjekje(takim) me Senatorin Lodge.
GUSHT 7-1918
Deklarata që shkrova nga ana e Vatrës kundër grekëve dhe Esat Pashë Toptanit u botua në shtatë a tetë gazeta amerikane me anë të degëve të Vatrës. Besohet që do të botohet dhe në shumë gazeta të tjera.
GUSHT 8-1918
Letër Censorit Naval si shpjegim të një kabllogrami të mbajtur për të birin e Dr. Mihal Turtullit.
GUSHT 9, 1918
Letër Mehmet Konitzës.
GUSHT 10,1918
Ktheva letrën e Lakos kundër Ismail Kemalit nga frëngjishtja në gjuhën shqipe.
GUSHT 12-17-1918
Ktheva tetë letra të Mehmet Konitzës ngafrëngjishtja në shqip.Nisa tre telegramet(M. Konitza, Castoldi, Gjika).
GUSHT 17-31-1918
Gatita pjesën inglishte të Revistës ADRIATIKE.
GUSHT 30 -1918
I shkrova senatorit Lodge një letër të gjatë ku i lutesha të përmendi dhe Shqipërinë në mes të shteteve që duhen çliruar prapë në Kongres të Paqes.
SHTATOR 2-1918
Mora një letër personale nga Senatori Lodge ku më thotë që do të përfitonjë rastjen e parë për të shfaqur simpathinë e tij për Shqipërinë.
SHTATOR 5-1918
Shkrova një përgjigje kundër çpifjeve greko-epirote kundër Vatrës dhe delegatit tonë Mehmet Konitza për gazetat amerikane.
SHTATOR 6-1918
Gatita një fjalë për mbledhjen e ushtarëve në Camp Devens.
SHTATOR 7-1918
Shkrova një letër Postmasterit Burleson për permitin e Diellit.
SHTATOR 8-1918
Mbajta një konferencë në Camp Devens përpara ushtarëve. Ishin 400-500 shpirt.
SHTATOR 10-1918
Gazeta Biddford-it dhe e Lynn-it botuan përgjigjen që gatita dhe që u dërgua prej sekretarit të Vatrës Ndreko Stavro; e gjatë më shumë se dy kolona.
SHTATOR 11-1918
Dërgova kopje të fjalës në Camp Devens; Presidentit, Creel-it, Ministrit të Luftës dhe disa gazetave për botim. Gazeta Worcester Telegram u zotua se do ta botojë të Dielën, shtator 15.
SHTATOR 11-1918
Ktheva tetë raporte të Mehmet Konitzës nga frëngjishtja në shqip dhe dy letra të Dr. Mihal; Turtullit.
SHTATOR 12-1918
Revista “Cambridge Magazine” e Londrës boton një raport të bashkëfjalimit tim me Presidentin dhe zonjën Wilson me 4 Korrik.
SHTATOR 1-15-1918
Punova për Revistën Adriatike.
SHTATOR 17-1918
Gazeta Worcester Telegram September 15, dhe gazeta Biddford Record, September 14, botuan tekstin e fjalës që mbajta në Camps Devens.
SHTATOR 18-1918
Shkrova një letër të gjatë inglisht për Mehmet Konitzën.
SHTATOR 19-1918
Mora përgjigje nga Sekretari i Presidentit dhe nga Minisitria e Luftës ku më bëjnë të njohur që e muarën tekstin e fjalës në Camp Devens që u dërgova.Ministria e Luftës më lutet t’u dërgoj. Ministria e Luftës më lutet t’u dërgonj çfarëdo tjatër fjalë që të mbanj, se munt t’i përdorin.
SHTATOR 19-27-1918
Mbarova lëndën e numërit të parë të revistës ADRIATIKE.
SHTATOR 28-1918
Shkrova një letër Senator Lodge-it që ta përhironj dhe me mënyrë të tërthor i kujtoj zotimin që më dha për të përmendurShqipërinë në Senat.Shkrova një letër të gjatë inglisht prej pesë faqesh typewriter të mëdha Profesorit Monroe ku i shpjegonj çështjen Shqiptare ashtu si ndodhet sot kundrejt shteteve rrethonjës.
SEPT. 29-TETOR 3-1918
Korrektova faqet e fundt të Revistës Adriatike.
TETOR 4-1918
I shkrova një letër të gjatë Profesor Monroe-s prej 6 faqesh të mëdha të typeërituar për disa pyetje që më bënte për kufinjtë dhe pika të tjera të lidhura me çështjen Kombëtare.
TETOR 5-15-1918
Gatita lëndën për numrin e dytë të revistës Adriatike.
TETOR 15-17-1918
Vajat në New York ku pata një pjekje me profesor Monroe.
TETOR 17-20-1918
Mbarova numrin e dytë të Revistës Adriatike.
TETOR 29-1918
Lowiston Sun-i botoi një përgjigje kundër Kasavetit.
TETOR 31-1918
Ktheva nga Frëngjishtja në shqip disa raporte të Kontzës dhe të Turtullit, nga 10 faqe të mëdha të shkruara në typewriter.
Në këtë muaj bëra disa telegrame pas armistices bullgare në fuqit’e Mëdha dhe për punën e Korçës dhe të tjera.
NOV.1-1918
Senatori Lodge e përmendi Shqipërinë në Serbiner’s Magazine dhe më pastaj në një artikull në New York World.
NOV 15-1918
U poqa me profesor Monroe dhe pata një bashkëfjalim të gjatë me të.Ia raportova Komisionit.Telegrame për punën e Korçës.
NOV 27-1918
Bëra një Menorande nga ana e priftërinjëve për Presidentin dhe Fuqitë e Mëdha.
Telegram për shkollat e Dardhës. Mbarova lëndën e Revistës Adriatik.
DHJETOR 1-13-1918
Ndreqje e Revistës Adriatik. Telegram nga shqiptarkat e Worcesterit për zonjën Wilson. Radiogram Prof. Lord dhe Prof. Coolidge në vaporin e presidentit George Washington.
DHJETOR 19-21-1918
Senatori Lodge e përmendi Shqipërinë në një fjalë që mbajti në Senat.Një nga konditat e Paqes , tha ai, duhet të jetë dhe rregullimi (settlement) i Shqipërisë.”
Në një letër personale që më shkruan senatori Lodge më falenderon për kopjen e Memorandumit të priftërinëjve që I dërgova dhe më thotë që e ka përmendur Shqipërinë në gjithë fjalimet që ka mbajtë. Çfaq shpresën që çështja shqiptare do të zgjidhet drejtësisht.
DHJETOR 21-29-1918
Ktheva shqip një tok raportesh të Mehemt Konitzës dhe Dr. Turtullit, nga 20 faqe të mëdha të shkruara me typwriter
Përgatiti: Dalip Greca/ Dielli
Rruga Press