Logjika erotetike
Shkruan Hysamedin Feraj
“Nuk ka pyetje por vetëm përgjigje të gabuara”?
Ky slogan ka vetëm njëfarë vlere taktike pedagogjike: nxënësit dhe studentët nxiten të marrin pjesë aktive në mësim, t’iu hiqet droja për shtrimin e pyetjeve sepse disa mund të kenë kuptim.
Por:
1. Ka pyetje që janë të gabuara, të pakuptimta, aq të pakuptimta sa janë logjikisht kundërthënëse në vetvete, ose çka rëndomë quhet budallëk.
KANTI konsideron pyetje të pakuptimta ato që presupozojnë premisa të rreme ose kundërthënëse, e zëmë ato që implikojnë përfytyrimin e të pafundmes si e fundme.
Po ashtu, pyetja pse lopa ka njëqind këmbë është krejt budallëk, sepse lopa nuk përket në llojin natyror të qindkëmbshave, dhe pyetësi veçsa e bën publik budallëkun e vet.
2. Ka pyetje që nuk janë mirëfilli pyetje, që nuk kanë synim kërkimin dhe zgjerimin e njohjes.
GADAMERI konsideron pyetje jo të mirëfilltë, e zëmë, pyetjet që profesori u bën studentëve në provim.
Kur supozon se e di përgjigjen (pra profesori e di) dhe vetëm po kontrollon nëse e di dhe tjetri, pyetja nuk është pyetje e mirëfilltë.
Të tilla janë edhe ose pyetjet retorike, pra me funksion (retorik), por që, prandaj, nuk janë mirëfilli pyetje.
Vetëm pse ka pyetje të pakuptimta, ekziston një nëndisiplinë e tërë logjike: LOGJIKA EROTETIKE…
Prandaj vetë slogani “nuk ka pyetje por vetëm përgjigje të gabuara” është i pakuptimtë, ose budallëk.
Slogani “dikush mund të pyes çka t’i teket” e përshkruan fenomin që ndodh, por epistemologjikisht askush nuk është i legjitimuar të bëj pyetje budallaqe.
Pyetja është e rëndësishme, është përgjigje, dhe sepse pyetësimi edhe i dijeve më të sigurta është kontribut për përparimin e njohjes. Kur pyetjet janë të kuptimta. Ndërsa pyetjet budallaqe janë përherë pengesë e njohjes dhe manifestim i gjendjes epistemike (dhe/ose morale) të pyetësit.
Me sa duket ajo taktikë pedagogjike duhet braktisur, sepse i budallepsë nxënësit në vend se t’i edukojë. Ndoshta duhen gjetur mënyra të tjera të nxitjes së pyetësimit nga nxënësit dhe studentët, si dhe krejt popullsia, përfshirë vetë studiuesit.
Rruga Press