Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 816 refugjatë nga Ukraina/ Ambasadori Shukrov për DW: NATO dhe blloku perëndimor, partnerët tanë në këtë kohë të vështirë
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, në një intervistë ekskluzive për DW flet për refugjatët ukrainas që kanë ardhur në Shqipëri për shkak të agresionit rus dhe për ndihmat humanitare nga Tirana për Kievin, kryeqytetin e binjakëzuar me Tiranën që para luftës.
Ai thekson se NATO dhe blloku perëndimor janë partnerë të Ukrainës në këtë kohë të vështirë të agresionit rus.
DW: Ambasador Shukrov, ndër miliona njerëz që largohen nga Ukraina për shkak të agresionit rus, qindra prej tyre kanë ardhur dhe gjetur strehë në Shqipëri. Sa refugjatë nga Ukraina ka deri tani në Shqipëri që po marrin mbështetje nga qeveria shqiptare?
Ambasadori Shukrov: Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, është rritur numri i ukrainasve që ikin nga lufta. Tani po operojmë me 816 refugjatë nga Ukraina që kanë kaluar kufirin dhe janë këtu. Dëshiroj të theksoj që 214 ukrainas kërkuan ndihmë në ambasadën tonë, 124 të rritur dhe 91 fëmijë dhe morën mbështetje. Kemi kontakte të mira me ministritë përkatëse, policinë, organizata refugjatësh. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të them , që ka dy vendime të qeverisë shqiptare lidhur me statusin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët. Këto u japin mundësi refugjatëve ukrainas të hyjnë në vend dhe të qëndrojnë në Shqipëri për një vit.
DW: Çfarë mendoni, si është situata e refugjatëve ukrainas që ndodhen në Shqipëri?
Ambasadori Shukrov: Duhet të pranoj, në fakt, që deri tani nuk kemi refugjatë, por ukrainas me statusin e mbrojtjes së përkohshme. Kam vizituar një grup fëmijësh ukrainas me nënat e tyre, që është në Durrës dhe mbërriti në Shqipëri në 23 mars. Ka edhe një grup tjetër nga Ukraina që erdhi më 30 mars. Deri tani situata është normale . Pala shqiptare pranon qytetarët ukrainas me solidaritet dhe dëshirë për t’i ndihmuar.
DW: A ka masa të veçanta që jeta e fëmijëve të jetë sa më normale që të jetë e mundur?
Ambasadori Shukrov: Po. Ashtu si thashë më parë, kanë mbërritur dy grupe. Të gjithë fëmijët ukrainas këtu, në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas. Mësimi bëhet online dhe ambasada jonë i kushton vëmendje të veçantë . Kemi bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, kemi kontakte të mira dhe fëmijët tanë kanë mundësi të vazhdojnë mësimet në shkollat shqiptare dhe të shkojnë gjithashtu në kopësht.
DW: Në fillim të muajit të kaluar, në mars, Parlamenti i Shqipërisë miratoi rezolutën në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës. Në të njëjten ditë, Bashkia e Tiranës, emërtoi “Ukraina e lirë” rrugën ku ndodhet ambasada e Serbisë, e Rusisë dhe juaja. Çfarë mund të bëhet më tepër?
Ambasadori Shukrov: Jemi shumë mirënjohës ndaj parlamentit shqiptar për rezolutën e 7 marsit në mbështetje të Ukrainës dhe luftës së saj kundër agresorit rus. Kam qënë shumë i emocionuar nga kjo ngjarje dhe klimë në përgjithësi. Dua të them gjithashtu që përvec riemërtimit të rrugës “Donika Kastrioti,” Bashkia e Tiranës përgatiti bashkë me ne kamionin e parë të madh me ndihma humanitare për Kievin, që para luftës është i binjakëzuar me Tiranën. Kemi patur disa aktivitete të tjera që janë zhvilluar në Tiranë. Përgatitëm në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës një ngjarje tjetër të madhe, bashkimin e qytetarëve shqiptarë dhe ukrainas për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen ndaj populit tonë dhe luftën e tij me agresorin rus. Shpresoj, më pas, kur lufta të mbarojë do të bëjmë më të mirën që të promovojnë marrëdhëniet tona.
DW: NATO-ja ka diskutuar së fundmi strategjinë e saj të re në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Cilat janë pritshmëritë tuaja për fokusin e strategjisë së saj, parë në këndvështrimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe të një bote më të rrezikuar?
Ambasadori Shukrov: Kjo është një pyetje e rëndësishme për ne dhe të ardhmen e Ukrainës. Ju e dini që çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO bën pjesë në kushtetutën tonë. Por tani po bëhen bisedime dypalëshe mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë, po bëhen përpjekje për të gjetur një kompromis. Dëshëroj të them që NATO dhe vendet anëtare të tij po e ndihmojnë Ukrainën. NATO dhe blloku perëndimor janë tani partnerët tanë në këtë kohë të vështirë të agresionit rus.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj interesit të DW. Kuptoj që ky interes lidhet me mirëkuptimin për situatën e vështirë dhe tragjike në Ukrainë. Ju e dini që pas ditëve, javëve, muajve dramatikë dhe tragjikë në qytetet pranë Kievit, me njerëz në varreza masive, abuzime seksuale të të miturve dhe situatë shumë tragjike ky interes i jep shpresa Ukrainës dhe njerëzve tanë të jenë të fortë në këtë agresion të tmerrshëm të shtetit rus.
DW
Rruga Press