Kosovë/ Mehmeti: Policët u gjuajtën drejtpërdrejt, i shpëtoi automjeti i blinduar
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë detaje për katër sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit.
Mehmeti thotë se në sulmin që ndodhi mëngjesin e sotëm policët u gjuajtën drejtpërdrejt, por se i shpëtoi automjeti i blinduar.
“Prej datës 13 i kishim katër sulme ndaj Policisë së Kosovës në mënyrë të sinkronizuar. Kjo na bënë me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka qëllim të pengojë Policinë e Kosovës. Në sulmin e parë janë vendosur mbi 40 iriq në formë metalike për të penguar patrullat policore. Në sulmin e dytë policët janë sulmuar me gurë, sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku 30 fishekë ndaj policisë”.
“Ndërsa sot në mëngjes rreth orës 07:40 janë sulmuar drejtpërdrejt patrullat e policisë kufitare, sulmi është kryer me granatë dore dhe me armë zjarri e cila dyshohet të jetë e tipit AK-47, të dy veturat e policisë janë dëmtuar teksa falë gjindshmërisë së zyrtarëve policorë dhe automjeteve të blinduara fatmirësisht nuk kemi të lënduar”, tha ai.
Mehmeti, po ashtu ka treguar pamjet nga sulmet teksa tek pamjet e një veture në xhamin e të cilës është gjuajtur dhe ka thënë se është gjuajtur për t’u lënduar dhe jo për të frikësuar policët.
Rruga Press