Zbulohen shpërblimet e majme për pedagogët në kohë pandemie
Drejtuesit e universiteteve duket se nuk janë kursyer për shpërblimet që i kanë dhënë vetes apo stafeve, edhe pse një vit pandemik dhe profesorët kanë punuar kryesisht nga shtëpia.
Rekordin për shpërblime e mban Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit që ka shpërndarë plot 1.75 milionë euro për këtë zë shpenzimesh. Në kushte normale ndoshta kjo mund të dukej normale, por gjatë një viti emergjence, është e paqartë se pse janë shpërndarë këto shpërblime.
Për të kuptuar se sa pa sens janë këto shpenzime, mjafton të bëjmë një krahasim me universitetin e Tiranës që është më i madhi në vend dhe ka disa herë më shumë pedagogë. Për zërin shpërblime, Universiteti i Tiranës ka shpërndarë 192 mijë euro. Pra, afro 8 herë më pak se ai i Durrësit që ka disa herë më pak staf akademik.
Edhe Universiteti i Elbasanit është treguar dorëlëshuar kur vjen puna te shpërblimi që kanë shpërndarë për pedagogët. Plot 827 mijë euro janë shpenzuar për këtë zë gjatë vitit 2020-2021.
E njëjta situatë në Universitetin Politeknik ku është shpërndarë një shumë e majme gjatë këtij viti. Plot 357 mijë euro. Pra, thuajse dyfish krahasuar me Universitetin e Tiranës. Edhe këtu shpenzimi duket pa sens, nëse e krahasojmë me numrin e personelit.
Rruga Press