Ekonomia në prapakthehu. Më pak investime dhe pamundësi për rritjen e pagave e pensioneve
Këtë vit, ekonomia e vendit nuk do të jetë në nivelet që pritej, ndërsa prirja negative do të vijojë edhe gjatë vitit 2023.
Rigjallërimi pas pandemisë nuk do të ndodhë aq thjesht sa mendohej. Kështu pohoi Banka Botërore në raportin e fundit i cili “zhvlerësoi” rritjen e parashikuar ekonomike. Dokumenti diktoi se perspektivat në Shqipëri janë të pasigurta dhe rreziqet janë shtuar.
Po çfarë do të thotë kjo për qytetarët shqiptarë?
“Mund të jemi përpara të njëjtit cikël kursimesh dhe sakrificash jo të lehta për menaxhimin e financave publike në përgjithësi”, shprehet për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Në dokumentin e publikuar, Banka Botërore parashikon se norma e inflacionit nga rritja e çmimeve, do të jetë në nivelin 5% për muajt e tjerë të vitit. Banka paralajmëron se kjo do të dëmtojë 40% të popullatës, të cilët shpenzojnë për ushqime më shumë se 50% të totalit.
Për ekspertët, alternativa e vetme për të mbrojtur popullatën më të brishtë, është ndihma me para dhe lehtësira nga qeveria.
Teksa e vlerësoi si shqetësues nivelin e borxhit publik të vendit, Banka Botërore kërkoi nga qeveria shqiptare të ndalë marrjen e borxheve të reja, pasi në të kundërt mund të detyrohet që të reduktojë shpenzimet e saj kapitale në një kohë të afërt. /a2news/
Rruga Press