Kitara e Kurt Cobain pritet të shitet deri në 800 mijë dollarë
Kitara ikonike me ngjyrë të kaltër, me të cilën Kurt Cobain te “Smells Like Teen Spirit” të Nirvanës tundi skenat në vitet 90’, pritet të shitet për rreth 800 mijë dollarë (734 mijë euro) kur të dalë në ankand muajin tjetër.
E përdorur në “Smells Like Teen Spirit”, që numëron më shumë se 1.4 miliardë shikime në ‘YouTube’, instrumenti i kaltër i vitit 1969 thuhet se është një ndër kitarat më të famshme të muzikës rock, sipas Martin Nolan, drejtor ekzekutiv i ankandit “Julien”.
“Kjo është një ndër kitarat më ikonike që del në ankand. Është një kitarë ‘Mustang Fender’ e kaltër, një ndër kitarat e preferuara të Kurt Cobain”, ka thënë Nolan, teksa qëndronte afër një ekrani në kujtim të Kurt Cobain, në sallën e ekspozitës së ankandit në Beverly Hills.
“Kitara vjen bashkë me kasën e saj dhe gjithashtu me rripin e kitarës, kjo është… me të vërtetë e rëndësishme për koleksionistët kur të marrin pjesë në ankand, që të shohin origjinalitetin” ka thënë Nolan, i cili tregoi se instrumenti ka qëndruar në shtëpinë e familjes qëkur vdiq Cobain, në vitin 1994.
Kitara e Cobain është qershia mbi tortë në ankandin e shtëpisë së ankandeve “Music Icons”, që zhvillohet në New York dhe online, nga 20 deri më 22 maj.
Nolan ka thënë se shtëpia e ankandeve ka vlerësuar në mënyrë konservative një çmim për kitarën që shkon nga 600 mijë deri në 800 mijë dollarë, por potencoi se “ky është një vlerësim konservator për ankand”.
Shtëpia e ankandeve ka treguar se një pjesë e fitimeve nga kjo ngjarje do të shkojnë për bamirësi për njerëz me probleme mendore.
Ankandi gjithashtu posedon edhe gjësende të tjera, përfshirë edhe veprën e artit kushtuar Michale Jackson, të punuar nga vetë Kurt Cobain, që pritet të shitet për 40 mijë dollarë dhe një nga makinat e tij, një “Dodge Dart” të vitit 1965, e që pritet të shitet nga 400 mijë deri në 600 mijë dollarë.
Rruga Press