Kurti: Armatosja e vazhdueshme e Serbisë, shprehje e frikës së saj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën se armatosja e vazhdueshme e Serbisë është shprehje e frikës së saj se do të mbetet e vetmuar.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një konference për media, teksa ka paraqitur mbështetjen prej 100 euro për muajin prill për pensionistët, punëtorët e sektorit publik, punëtorët e sektorit privat dhe studentët.
“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por është shprehje e frikës së saj se mund të ngelet e vetmuar atëherë kur nuk do të mund të qëndrojë në disa karrige siç është mësuar”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova është e brengosur dhe e vëmendshme për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, por nuk ka frikë.
“Jemi të brengosur dhe të vëmendshëm por nuk frikësohemi. Ata kanë 42 baza ushtarake ofensive, por ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO-ja është te ne”, u shpreh Kurti.
Rruga Press