Qeveria e Kosovës me 100 milionë euro ndihmë për 800 mijë qytetarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat. 100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, tha Kurti në konferencën e mbajtur së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Kurti theksoi se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, derisa bëri të ditur se do të miratohet projektligji për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e tatimit në 250 euro pagë.
Rruga Press