Borrelli flet për sanksione të reja kundër Rusisë
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, mbeten opsion.
Borrelli i bëri këto komente në Luksemburg, në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.
“Sanksionet janë gjithmonë në tryezë”, u tha ai gazetarëve.
Borrelli shtoi se ministrat, të cilët pritet të diskutojnë për krimet e dyshuara të luftës, të kryera nga Rusia në Ukrainë, bashkë me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Kahn, mund të debatojnë edhe për “hapat e mëtejshëm” kundër Moskës.
BE-ja ka vendosur tashmë disa runde sanksionesh kundër Rusisë.
Disa vende brenda bllokut 27-anëtarësh kanë bërë thirrje për embargo të plotë mbi naftën ruse.
Por, disa të tjera kanë hezituar, për shkak të, siç kanë thënë, ndikimit që do të kishte një masë e tillë në ekonomitë e tyre.
Rruga Press