Bota

Dëshmitë me video tregojnë historinë e rrethimit 44-mujor të Sarajevës

Për të shënuar 30-vjetorin e rrethimit të Sarajevës, një projekt i ri online i BIRN përmban video dëshmitë e 44 personave – një për çdo muaj të bllokadës ushtarake – duke kujtuar vështirësitë e kohës së luftës, mizoritë dhe momente të shkurtra gëzimi.

BIRN prezantoi të mërkurën projektin “44 Muaj nën Rrethim”, i cili përmban intervista video me 44 njerëz që jetuan rrethimin e Sarajevës në vitet 1992-1995, ku ata flasin për rreziqet dhe privimet e jetesës nën bllokadën më të gjatë ushtarake të një kryeqyteti kohët e fundit.

BIRN regjistroi intervista me gazetarë, mjekë, mësues, artistë, muzikantë, kineast dhe banorë të tjerë të qytetit të rrethuar ku ata flasin për masakrat, sulmet me snajper, mungesën e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike dhe rreziqet e daljes jashtë për të gjetur furnizime, për të shkuar në shkollë apo për të mbajtur funerale gjatë bombardimeve të vazhdueshme të qytetit nga prilli 1992 deri në fund të 1995.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

“Përqendrimi në dëshmi individuale është një mënyrë unike dhe shumë e goditëse për të treguar një histori për një qytet”, tha Denis Dzidic, drejtor i BIRN Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Kjo definitivisht nuk është një histori për të gjithë atë që banorët e Sarajevës përjetuan gjatë rrethimit, por është një portretizim i disa prej krimeve më të egra, si dhe i mënyrës në të cilën qytetarët e zakonshëm u përballën me terrorin”, shtoi ai.

Jasmin Begiç, një gazetar që punoi për këtë projekt, tha se shumica e njerëzve që dhanë intervista kishin humbur të dashurit, ishin plagosur ose u mbijetuan sulmeve që janë dokumentuar në vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

“Këto dëshmi tregojnë se civilët në Sarajevë, siç thuhet në vendime, ishin objektiva të sulmeve joselektive ndërsa qëndronin në radhë për të blerë bukë dhe ushqime në tregje dhe për të mbushur ujë, si dhe fëmijët që u vranë në tavolinat e tyre të shkollës”, tha Begiç.

“Pjesa më e vështirë ishte të flisje me prindërit, fëmijët e të cilëve u vranë dhe që i përjetuan përsëri këto ngjarje traumatike”, shtoi ai.

Videot janë renditur në mënyrë kronologjike në faqe, duke filluar nga prilli 1992 deri në nëntor 1995. Videoja e 45-të flet për rëndësinë e përfundimit të luftës.

Projektin “44 Muaj nën Rrethim”, i cili u krijua me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dje Zhvillim Ndërkombëtar, SIDA, mund ta shihni këtu./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *