Bota

“Pashë nënën që më vdiq para syve”, rrëfimi rrëqethës i 16-vjeçares nga Mariupoli

“A e dini se çfarë është dhimbja? Një herë u dashurova me një djalë, por ai nuk më donte, mendova se do të vdisja nga dhimbja dhe trishtimi. Isha gabim. Dhimbja e vërtetë është të shohësh nënën të vdesë para syve të tu.”

Kjo është historia tragjike që Katia, një vajzë 16-vjeçare nga Mariupoli, i rrëfen Vira Khvustit, një vullnetareje që kujdeset për djemtë dhe fëmijët e evakuuar nga qyteti i Mariupolit, një nga më të prekurit në luftë.

Vira dëgjoi Katian të fliste për tri orë, pas arratisjes së saj nga Mariupol-i me vëllain e saj pesëvjeçar. Më pas vullnetarja e ndau historinë e 16-vjeçares në rrjetet sociale, si dëshmi e makabritetit të luftës në Ukrainë. 

Rrëfimi i plotë

A e dini se çfarë është dhimbja? Një herë u dashurova me një djalë, por ai nuk më donte, mendova se do të vdisja nga dhimbja dhe trishtimi. Isha gabim. Dhimbja e vërtetë është të shohësh nënën të vdesë para syve të tu. Vëllai im i vogël shkonte tek ajo dhe i thoshte: “Mami mos fli, çohu”. Nuk do të mund ta vizitojmë kurrë në varreza. Ajo mbeti në një bodrum të errët dhe të ftohtë.

Ne vetëm shkonim në banjë, flinim, hanim atë pak ushqim që kishte mbetur, të gjithë në të njëjtin bodrum. Një ditë, zoti Kolya kapi një pëllumb, ishte dita e pestë ose e gjashtë, e gatuam në zjarr dhe e hëngrëm. Por, pastaj e vollëm.

Mami rezistoi deri në fund, mirëpo tri ditë para evakuimit, ajo vdiq. I thashë vëllait të vogël se e kishte zënë gjumi dhe nuk duhej ta zgjonte. Por unë mendoj se ai kuptoi gjithçka. E kuptoi edhe kur vdiq Zoti Kolya në një shpërthim. Nëna ime qau shumë. Pas vdekjes së babait të saj, ai ishte personi më i afërt me të. Kufomat kundërmojnë shumë. Ata ishin kudo. I mbulova sytë vëllait me shallin e mamasë që të mos shihte. 

Unë nuk besoj më në Zot, nëse do të kishte, nuk do të vuanim aq shumë. Nëna ime nuk ka bërë kurrë asgjë të gabuar, kurrë!  Mami shkonte në kishë dhe rrëfehej shpesh, dhe unë po ashtu. Z. Kolya e la duhanin sepse nëna e tij tha se ishte mëkat. Në vend të kësaj, Perëndia e mori atë nga ne. Një prift më tha se mami tani do të shërbente me Perëndinë, por do të ishte më mirë të kishte shërbyer këtu pranë nesh.

E urrej Rusinë. Daja im është atje. A e dini se çfarë më tha në telefon? “Katia? Cila Katia? Nuk të njoh, vajzë e vogël. Çfarë lufte? Cila Katia?”. Më pas më dërgoi një mesazh nga një numër tjetër: “Katia, mos më shkruani. Për mua dhe familjen time është e rrezikshme. Ne nuk mund ta kthejmë nënën tuaj në jetë.” I urrej, ajo ishte motra e tij, si ka mundësi të flasë ashtu?!

Mendoj se do të kthehem në Mariupol. Do të jetoj në të njëjtin vend, do të zbres për të cuar lule në bodrumin e shtëpisë së re.

Një tjetër gjë e frikshme është kur foshnjat qajnë, pasi është e rrezikshme që t’i dëgjojnë. Këta monstra gjetën njerëz të fshehur në bodrume dhe i vranë. Ata që mbijetuan, thonë se ushtarët rusë përdhunonin fëmijë, plaka, madje edhe kufoma.

Nëse Zoti ekziston pse e lejon ai këtë? Nuk dua të jetoj më. Mendoj se do të na ndajnë, ndoshta nuk do ta shoh më vëllanë. Pse?! Sepse Putini donte të na shpëtonte?! Jetonim aq mirë, madje blemë makinën. Zoti Kolya më kishte premtuar se do të më mësonte të drejtoja makinën. Ata kanë djegur edhe makinën. Shtëpia jonë është zhdukur. Unë dua të vdes, por nuk mundem… 

Përqafojini fëmijët tuaj! Përndryshe, kur të largoheni, ata nuk do ta mbajnë mend erën tuaj. Nëse do të jetoj dhe do të kem fëmijë, do t’i përqafoj gjithë ditën.

Rruga Press

Lexo më shumë  DW: Ekonomia gjermane nuk po del nga stanjacioni
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *