Një zakon i vjetër dhe i shëmtuar i rusëve: Fshehja e të vrarëve në luftë
Nga Anna Akage “Word Crunch”
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar vetëm 2 herë për viktimat në radhët e ushtarëve të saj. Më 2 mars, u raportua për 498 ushtarakë të vdekur dhe 1.597 të plagosur. Ndërkohë më 25 mars u raportuan 1351 ushtarë të vdekur, dhe 3825 të plagosur.
Shërbimet sekrete perëndimore, vlerësonin në mesin e marsit se ishin vrarë të paktën 7.000 ushtarë rusë, ndërsa Ukraina ka përmendur së fundmi një shifër prej më shumë se 17.000 të vrarësh në radhët e ushtrisë ruse. Për shkak të intensitetit të lartë të luftimeve në terren, verifikimi i këtyre shifrave është tani për tani praktikisht i pamundur.
Megjithatë, edhe nëse do të bazoheshim tek një vlerësim mesatar i inteligjencës amerikane, humbjet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë në vetëm 1 muaj, i tejkalojnë humbjet që raportoi ushtria sovjetike gjatë gjithë luftës 10-vjeçare në Afganistan (1979-1989). Të dhënat zyrtare të Kremlinit për atë konflikt, nga viti 1979 deri në vitin 1989, raportonin 14.453 ushtarakë të vrarë.
Të dhëna të veçanta të konfirmuara, si për vdekjet e gjeneralëve rusë, ashtu edhe për numrin e pajisjeve ushtarake të dëmtuara ruse – që të dyja shumë më të lehta për t’u numëruar sesa ushtarët në njësitë e këmbësorisë – tregojnë se humbjet ushtarake të ushtrisë ruse janë gjithmonë shumë më të larta sesa pretendon qeveria ruse.
Atëherë si shpjegohet që Ministria ruse e Mbrojtjes fsheh të dhënat për vdekjen e ushtarakëve? A bëhet kjo për hir të ruajtjes së moralit të ushtrisë? Në fakt, shpjegimi përfundimtar ka të bëjë me konceptin e fitores me çdo kusht. Ky është mesazhi i përcjellë për më shumë se 70 vjet nga sovjetikët dhe më vonë nga qeveria ruse.
Fitorja në Luftën e Dytë Botërore dhe festa e 9 majit, kremtohet gjithnjë e më shumë si një festë sesa një ditë përkujtimore. Pra më shumë si një karnaval, sesa si një ditë përkujtimore dhe zie, edhe pse besohet se numri total i viktimave i tejkalon 26 milionë, përfshirë 12 milionë ushtarë.
Në psikikën e Kremlinit, fitorja është më e rëndësishme se kostoja në miliona jetë njerëzore. Nuk ka heronj individualë, por vetëm kauza kombëtare. Historianët bien dakord se Lufta e Afganistanit, ndihmoi në përshpejtimin e rënies së Bashkimit Sovjetik, pikërisht sepse nuk bëhej fjalë për fitore.
Nënat dhe gratë thjesht morën njoftime për vdekjen e bijve dhe bashkëshortëve të tyre, pa ndonjë funeral solemn të ushtarëve sovjetikë të vrarë diku larg për ndonjë arsye të panjohur. Kur ato funerale të heshtura filluan të shumohen në mijëra, ishte e pamundur të fshihej dështimi në atë luftë.
Plagët e kësaj lufte mbetën tek të gjithë sovjetikët. Të gjithë kishin një mik që ishte një veteran i Luftës së Afganistanit . Lufta afgane u bë pjesë e kulturës sovjetike, hyri në muzikë dhe kinematografi, dhe mbeti thellë në kujtesë. Ishte Vietnami Sovjetik.
Sindikatat ruse të veteranëve të asaj lufte, janë ende duke kërkuar të dhënat për të zhdukurit. Sipas traditës sovjetike, ushtria mbante të dhëna shumë të sakta të të vdekurve, edhe nëse ato nuk bëheshin asnjëherë publike. Me çmimin e jetës së tyre, ushtarët e mbijetuar i morën trupat e të vdekurve nga fushat e betejës dhe i kthyen në shtëpi, duke u dhënë të afërmve të tyre një mundësi për t’u thënë lamtumirë.
Në Çeçeni, do të kishim më shumë kaos. Gjatë Luftës së Parë Çeçene në vitet 1994-1996, Mministri rus i Mbrojtjes Pavel Grachevi ishte zotuar ta merrte Groznin, kryeqytetin e Çeçenisë, brenda 2 orësh duke përdorur një regjiment të vetëm parashutistësh.
Në fakt lufta zgjati për gati 2 vjet, dhe shkaktoi mijëra të vrarë nga të dyja palët. Të dhënat zyrtare ruse thonë se vdiqën rreth 5.000 ushtarë, por Unioni i Komiteteve të Nënave të Ushtarëve pretendon se vdiqën të paktën 14.000 ushtarë rusë.
“Ndonjëherë mospërputhjet midis shifrave zyrtare dhe atyre jozyrtare janë të habitshme në shkallën e tyre. Për shembull, të mbijetuarit e Brigadës 131 Maikop, thanë se në Gronzy u vranë më shumë se 1000 njerëz vetëm nga njësia e tyre.
Por monumenti i ngritur në Maykop liston vetëm 110 emra. Lufta e Dytë Çeçene filloi në vitin 1999, dhe megjithëse luftimet zgjatën deri në vitin 2000, ato që u quajtën “operacionet kundër terrorizmit” në rajon zgjatën deri në vitin 2009. Edhe sot ka ndalime të shumta dhe zhdukje të të rinjve në Çeçeni, të cilët më vonë gjenden ose në qelitë e komisariateve ose nuk gjenden kurrë.
Nuk ka ende të dhëna të sakta për viktimat e asaj lufte. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë ruse së Mbrojtjes për vitin 2010, nga viti 1999 deri në vitin 2008, 3.684 ushtarakë vdiqën në Kaukazin e Veriut. Dhe sipas Ministrisë së Brendshme të Federatës Ruse u vranë më shumë se 2.000 anëtarë të Forcave të Brendshme.
Por sipas vlerësimeve të Unionit të Komiteteve të Nënave të Ushtarëve të Rusisë, shifrat zyrtare japin më pak se gjysmën e humbjeve reale. Ashtu si me Luftën në Afganistan, edhe në Çeçeni, nuk pati një fitore të qartë, edhe pse për të nuk u kursye asgjë.
Për më tepër, në Çeçeni, ushtria ruse humbi për vite me radhë rekrutë nga njësitë vullnetare guerile, ish-fermerë dhe studentë, dhe jo nga ushtria profesioniste. Viktimat civile në Çeçeni midis viteve 1999-2009 janë të pallogaritshme, dhe mund të arrijnë në miliona. Ushtria ruse, sidomos gjatë luftës së dytë, bombardoi masivisht objektet civile duke pretenduar gjithmonë se aty fshiheshin terroristë.
Rusët nuk po nxitojnë tani të marrin trupat e ushtarëve të tyre të vdekur në Ukrainë. Mos harroni: Lufta e Dytë Çeçene u drejtua nga Vladimir Putin. Pas negociatave me “liderin aktual të Çeçenisë”, Ramzan Kadyrovin, mandati i parë i Putinit kaloi një popullaritet të lartë, pasi propaganda i cilësoi veprimet e tij në Çeçeni si “në funksion të ndalimit të konfliktit”.
Është logjike që në kohë lufte, ushtria ukrainase ka të ngjarë t’i mbivlerësojë humbjet e armikut dhe të minimizojë të vetat për të ruajtur moralin. Megjithatë, në një intervistë të fundit me mediat e pavarura ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky raportoi se rusët nuk po nxitojnë të marrin trupat e ushtarëve të tyre të vdekur, dhe se ata i paketojnë eshtrat e tyre në thasë plehrash.
Sado e tmerrshme që mund të duket kjo, është shumë e ngjashme me historinë e saj të dikurshme. Urdhrat nga Moska janë që ushtarët të cilësohen një humbje që duhet pranuar, dhe se nuk ka asnjëherë një kosto shumë të lartë për fitoren përfundimtare.
Mjerisht, ne kemi raporte gati ditore të raketave që godasin pallate banimi dhe qendra tregtare, të cilat vrasin ukrainas të zakonshëm, ndërsa ushtarët rusë vdesin në tokën ukrainase pa u numëruar. Edhe sa të vrarë do ketë deri në përfundimin e luftës? Këtë mund të mos e dimë kurrë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
/Rruga Press/