KryesoreLajme

Roli i Veliajt në “aferën” e Sharrës. Si u hap rruga e kontratës 128 mln euro (dokumentat)

Nga Boldnews.al

Mesjava e kaluar pati disa zhvillime të vrullshme, megjithatë të pjesshme, në atë që konsiderohet si afera gjigande e inceneratorëve.

Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako dhe një dyzinë zyrtarësh që kanë kryer rolin e anëtarëve të Komisionit të Koncensioneve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë tashmë në pranga.

Gjithësesi, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), të paktën deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë sinjal avancimi për hetimet mbi inceneratorin e Tiranës.

Dosja penale nr.255 e vitit 2020 duket se është “patatja e nxehtë” për prokurorët specialë.

Në procedurën e koncensionit për ndërtimin e landfillit të Tiranës, gjenden, me firmë e vulë të gjithë zyrtarët më të rëndësishëm të qeverisë socialiste dhe si “qershi mbi tortë”, kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj. 

***

Erion Veliaj vijon të mbetet publikisht një prej të dyshuarve kryesorë në atë që konsiderohet si “afera e inceneratorit të Sharrës”, e cila ngarkon qytetarët e Tiranës me detyrim disa qindra milionë euro për 30 vjet, për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane.

Kryetari i Bashkisë mohoi të jetë përfshirë në procedurat koncensionare dhe të ketë shmangur Këshillin Bashkiak nga vendimmarrja për faturën mbi qytetarët.

Ai, megjithatë, pranoi se ishte shprehur parimisht dakord me projektin, në Mars 2017, pasi Bashkia nuk ngarkohej me kosto shtesë.

Disa dokumente tregojnë në mënyrë indirekte se Veliaj ishte në dijeni të projektit edhe përpara kësaj date dhe duket se kishte marrë përsipër detyrime në kuadër të Koncensionit.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Historia nis në Shtator 2016.

Kompania ‘Integrated Energy BV”, me seli në Hollandë dhe përfaqësues Klodian Zoton, dorëzon në Ministrinë e Mjedisit “propozimin e pakërkuar” dhe projektin për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës, me kosto 128 milionë euro.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, komunikon me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i sugjeron nisjen e procedurave koncensionare.

Ahmetaj duket fillimisht skeptik për mundësitë buxhetore. Koka i shpjegon se projekti parashikon që impianti të ndërtohet me shpenzimet e kompanisë private dhe kostot do të mbulohen në 30 vjet, nëpërmjet pagesave për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e Qarkut të Tiranës.

Në një shkresë të datës 27 Dhjetor 2016, pra tre muaj përpara se Erion Veliaj të jepte dakordësinë e tij, Lefter Koka informon Ahmetajn se “..Bashkia e Tiranës merr përsipër të mbulojë kostot e depozitimit për minimum 700 ton mbetje në ditë”.

Po ashtu, në 1 Shkurt 2017, Lefter Koka i shkruan sërish Arben Ahmetajt: “…Bashkia Tiranë ka marrë përsipër që do të vërë në dispozicion të pagesave për depozitimin e mbetjeve vlerën prej 1 milionë eurove, që konvertohet në 34.365 ton mbetje në vit”.

Nuk është e qartë se si janë marrë përsipër këto detyrime nga Bashkia e Tiranës, kur, të paktën deri në atë kohë, nuk kishte asnjë vendim të Këshillit Bashkiak që e lidhte institucionin e drejtuar nga Veliaj me procedurat koncensionare.

Në vijim, Arben Ahmetaj i kërkon Lefter Kokës që të marrë konfirmim me shkrim nga Qarku Tiranë, si përfituesi kryesor i projektit koncensionar, ku përfshihen disa bashki.

Në 27 Mars 2017, Erion Veliaj, i përgjigjet Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit se është parimisht dakord me projektin e propozuar.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Kaq mjaftoi që skepticizmi i Arben Ahmetajt të rrëzohej.

Lefter Koka e informon Ministrin e Financave se Bashkia e Tiranës është dakord.

Ahmetaj shprehet pa komente, një mënyrë aprovuese për procedurën koncensionare, përsa kohë që Bashkia Tiranë ishte shprehur dakord. Ahmetaj anashkalon faktin se kishte këmbëngulur që aprovimi të jepej nga i gjithë Qarku dhe jo vetëm nga Bashkia e Tiranës.

Pra, duket qartë që dakordësia e Veliajt i ka hapur rrugën koncensionit 30-vjeçar.

Në 28 Shtator 2017, një muaj pas miratimit të kontratës koncensionare, Erion Veliaj merr autorizimin nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për detyrimet ndaj kompanisë private, që, siç deklaroi ai, lidheshin me depozitimin e mbetjeve.

Por, pyetja thelbësore vijon të mbetet-po nëse Këshilli Bashkiak nuk do t’i jepte autorizimin Veliajt, çfarë do të ndodhte me kontratën koncensionare?

Si ka mundësi që Lefter Koka dhe Arben Ahmetaj, e bashkë me ta e gjithë qeveria, i dhanë udhë koncensionit të Sharrës, pa u shprehur më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës për të marrë përsipër faturën e depozitimit dhe në mungesë të aprovimit nga bashkitë e tjera të Qarkut Tiranë?

Erion Veliaj këmbëngul se ai ka dhënë vetëm dakordësinë në parim për projektin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *