Hidhen poshtë pretendimet e Trumpit për numrin e viktimave nga COVID-19
Zyrtarët shëndetësorë në SHBA i hodhën poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump, se numri i njerëzve që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, është ekzagjeruar.
Në një postim në Twitter, më 3 janar, Trump tha se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përdor “një metodë qesharake të përcaktimit, krahasuar me vendet e tjera”.
Trump nuk ofroi dëshmi për këtë dhe la të kuptohet se kur zyrtarët shëndetësorë kanë dyshime për shkakun e vdekjes, ata ia atribuojnë atë sëmundjes COVID-19.
Kreu operativ i Korpuseve të Shërbimit të Shëndetit Publik në SHBA, Jerome Adams, tha për rrjetin televiziv CNN se nuk sheh asnjë arsye për të vënë në dyshim shifrat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, tha se “ato janë shifra të vërteta, njerëz të vërtetë dhe vdekje të vërteta”.
Fauci po ashtu mbrojti fushatën e SHBA-së për vaksinimin e qytetarëve.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Deri më tash, rreth 4.2 milionë amerikanë kanë marrë dozat e para të vaksinës Pfizer/BioNTech ose Moderna.
Të dyja këto vaksina duhet të jepen në dy doza për të qenë efektive.
Por, shifra e të vaksinuarve është larg parashikimeve zyrtare për 20 milionë të vaksinuar deri në vitin e ri.
Mbi 13 milionë doza vaksinash janë shpërndarë në të gjithë SHBA-në, por përpjekjet për t’i vaksinuar punonjësit shëndetësorë dhe njerëzit në nevojë, janë penguar nga problemet logjistike.
“Ka pasur disa çrregullime. Kjo është e kuptueshme”, tha Fauci.
Ai tha se tani rreth 500,000 amerikanë vaksinohen çdo ditë, “një numër shumë më i lartë sesa kur ka nisur programi i vaksinimit”, muajin e kaluar.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 20 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 351,000 viktima.
Në të gjithë botën, sëmundja ka prekur mbi 85 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 1.8 milion.
Rruga Press