Skandali – KESH shet energji me humbje në kohë krizë
Situata me shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike në vend, duket se është në kufijtë e një skandali. Një ditë më parë, KESH zhvilloi një tender për shitjen e rreth 11800 megavat/orë energji për datat 1 dhe 2 prill, duke arkëtuar në total 1.7 milionë euro. Por, vetëm pesë ditë më parë, KESH bleu të njëjtën sasi energjie që nevojitet për të furnizuar qytetarët në datën 2 prill, duke paguar plot 3.2 milionë euro. Nga dy transaksionet e fundit, Shqipëria ka humbur plot 1.5 milionë euro
Shqipëria po përballet me një nga situatat më të vështira të rezervës hidrike ndër vite për shkak të keqmenaxhimit, që i është bërë tre hidrocentraleve në lumin Drin. Por duket se ky keqmenaxhim do të vijojë.
Në kushtet kur niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rreth 261 metra mbi nivelin e detit, ose vetëm 20 metra larg pikës kritike, KESH nuk ruan rezervën hidrike për ditët në vijim, por zgjedh të bëjë të kundërtën, shet energji.
Në datën 31 mars, KESH ka hapur një tender për shitjen e më shumë se 11 mijë megavat/orë energji elektrike për datat 1 dhe 2 prill. Sipas dokumenteve të publikuara në faqen zyrtare të KESH, në total është shitur rreth 11.800 megavat/orë energji elektrike, me çmim mesatar 150 euro për megavat/orë. Në total, nga shitja e energjisë elektrike KESH ka arkëtuar rreth 1.7 milionë euro.
Por ku qëndron skandali? Së pari, vetëm pesë ditë më parë, pikërisht në datën 25 mars, KESH ka hapur një tender për blerjen 11 mijë megavat/orë energji elektrike, për të furnizuar vendin në datën 2 prill.
Energjia e blerë nga KESH në datën 25 mars është kuotuar me çmimin mesatar rreth 290 euro për megavat orë, ndërsa në total KESH ka paguar rreth 3.2 milionë euro për të furnizuar vendin me energji elektrike në datën 2 prill. Vetëm nga dy transaksionet e datës 31 mars, KESH ka humbur rreth 1.5 milionë euro, nëse i referohemi blerjes së energjisë në datën 25 mars, ku KESH për të njëjtën sasi energjie që shiti një ditë më parë, shpenzoi 3.2 milionë euro.
E gjitha kjo, ngre pikëpyetje të mëdha me shit-blerjen e energjisë, pasi nuk është hera e parë që KESH shet energjinë e prodhuar në vend, me gjysmën e çmimit që paguan për të blerë të njëjtën sasi energjie që i duhet për furnizimin e qytetarëve. Për të mos shtuar këtu faktin, se si KESH vendos të shesë energji, në një kohë kur nga kryeministri dhe gjithë kabineti qeveritar, ankohen për mungesën e rezervës hidrike në vend.
Rruga Press