Avokatja e Popullit e Ukrainës: Në Rusi janë dërguar me forcë mbi 400,000 ukrainas
Më shumë se 400,000 ukrainas janë zhvendosur me forcë në Rusi që nga fillimi i luftës, tha Avokatja e Popullit e Ukrainës për Euronews.
Lyudmila Denisova, e cila ka përgjegjësinë në parlamentin e Ukrainës për monitorimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut, tha se vendi i saj po mbledh prova për krimet e dyshuara ruse të luftës.
Ajo ishte në Bruksel për të diskutuar mizoritë që po ndodhin në vendin e saj dhe tha se ukrainasit po detyrohen të shkojnë në Rusi masivisht.
“Qytetarët tanë u dërguan me forcë nga territori ynë për në territorin e tyre”, tha ajo. “Ata shkuan kundër vullnetit të tyre dhe u dërguan me forcë së pari në një kamp filtrimi në rajonin e Donetsk.
“Pas kësaj ata u dërguan në Rusi me autobusë. Më pas u dërguan me tren në vende të ndryshme, duke përfshirë rajone të federatës ruse, si Sakhalin.”
Denisova tha se në më shumë se një muaj luftë, nuk ka pasur asnjë korridor humanitar të qetë.
Ajo akuzoi gjithashtu Rusinë për vjedhjen e uniformave të ushtarëve ukrainas dhe përdorimin e tyre për të kryer krime dhe vërejti se ajo që po ndodh në Mariupol është genocid.
“Situata në Mairupol është e vështirë dhe nuk po ndryshon. Shumica e ndërtesave janë shkatërruar nga bomba dhe granatime. Më shumë se 20,000 banorë janë vrarë”, tha Denisova.
Koordinatori i OKB-së për Ukrainën e ka përshkruar situatën në Mariupol si “ferr”, ku civilët janë nën kërcënim të vazhdueshëm të dhunës dhe nuk kanë ushqim apo ujë.
Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se bombardimet do të vazhdojnë derisa Mariupol të dorëzohet.
Rruga Press