Bota

Dy liderët ballkanik të korruptuar e autokratë, sulmojnë BE-në dhe Kosovën!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po e dëshmon miqësinë e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuҫiq. Miqësia e tyre po fuqizohet pavarësisht se, Vuҫiqi nuk kursen asnjëherë sharjet e kërcënimet për shtetin e Kosovës. Megjithatë nuk po shihet si një pengesë ndaj Edi Ramës.

Mirëpo, një afërsi e tillë ndërmjet Ramës e Vuҫiqit, sa e dëmton imazhin e Kosovës dhe të shteteve shqiptare në botë, sidomos tani kur Serbia është në përkrahje të Rusisë për luftën që po bën në Ukrainë?

Bytyҫi: Kur është fjala për ta sulmuar lidershipin e Kosovës, Rama e Vuҫiqi janë njësoj.

Profesori universitar, Enver Bytyҫi, thotë se Edi Rama dhe Aleksandër Vuciq janë të afërt dhe miq me njëri-tjetrin, kjo tashmë është një dëshmi e njohur për shqiptarët e më gjerë. Në Serbi Edi Rama konsiderohet si hero i kombit serb.

“Ai pritet në Beograd si të ishte nipi i knjaz Llazarit. Serbët kudo që janë e shohin Edi Ramën jo vetëm si mik, por edhe si avokat të çështjes serbe në Perëndim, në NATO, në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë profesor Bytyҫi në një prononcim për ‘Bota sot’.

Ai thotë tutje se, që kur nisi rrugëtimi i marrëdhënieve të miqësisë dhe vëllazërim-bashkimit midis presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, kanë ndodhur aq shumë ngjarje dhe zhvillime dhe në të gjitha prej tyre ka vetëm një karakteristikë: Mbështetja reciproke që këta dy liderë ballkanikë të korruptuar e autokratë i bëjnë njëri-tjetrit.

“Kur sulmojnë BE-në, e bëjnë të dy në të njëjtën kohë. Por, në të njëjtën kohë e me të njëjtën gjuhë edhe i lavdërojnë liderët perëndimorë! Edhe në diskursin politik ata janë gjithnjë bashkë. Kur është fjala për ta sulmuar lidershipin e Kosovës, përsëri janë të dy këta që mendojnë e flasin njësoj! Asnjëherë për ta mbrojtur shtetin dhe territorin e saj, por për ta rrënuar autoritetin e institucioneve të shtetit më të ri në Europë. Imagjino: Të dy janë të lumtur që Kosova në nëntë vitet e sundimit të Ramës dhe Vuçiqit nuk ka njohje domethënëse, përveҫ asaj të Izraelit. Asnjëherë Edi Rama nuk u gjend në krah të autoriteteve të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, përveҫ se kur ishte fjala për të realizuar projektet serbe në këtë vend, deri te ndarja e tij”, vlerëson ai.

Lexo më shumë  A do të jetë viti 2025 kur ekonomia ruse të ngrihet përfundimisht nga sanksionet?

Ai thotë se hera e fundit që Rama dhe Vuҫiqi u bënë bashkë ishte para një jave në samitin e NATO-s në Bruksel, në prani të burrave e grave më të fuqishëm të botës.

“Në atë samit fizikisht ishte Edi Rama, por jo edhe Vuҫiqi. Por, përmes Ramës interferoi edhe presidenti i Serbisë. Kryeministri i Shqipërisë mbrojti Serbinë dhe pozicionin e saj pro-rus në raport me konfliktin në Ukrainë. Se Vuҫiqi nuk mund ta bënte këtë, pasi ai nuk ishte e nuk mund të ishte i pranishëm. Kjo do të thotë se ku është Rama (në NATO e BE) është edhe Aleksandër Vuҫiqi dhe ku është Vuҫiqi (në Rusi, Bjellorusi e gjetkë në Lindje) është edhe Edi Rama. Plotësojnë njëri-tjetrin, kompensohen e koordinohen mes veti”, thotë ai.

Bytyҫi: Asnjë vepër e Ramës në këto nëntë vite pro-Kosovës

Mirëpo, sipas tij, gjithnjë e bëjnë këtë në dëm të Kosovës, jo vetëm presidenti i Serbisë, por edhe kreu i ekzekutivit shqiptar.

“Le të më thotë dikush një vepër të Edi Ramës në këto nëntë vite pro-Kosovës. Mund të përmendë dikush fjalë e recitime patetike të Ramës, por nuk mundet që dikush të më thotë se kryeministri i Shqipërisë ka bërë diҫka serioze në dobi të Kosovës. Vetëm ndarje, përҫarje, ndasi, urrejtje, fyerje, arrogancë, urdhra, paternalizëm e asgjë tjetër”, thekson ai.

Mehazi: Edi Rama më lehtë ndahet prej shqiptarëve të Kosovës sesa prej presidentit të Serbisë Vuçiq

Po ashtu edhe profesori tjetër, Sulejman Mehazi thotë se ‘absurditet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, nuk kanë të ndalur në lidhje me Serbinë, e tërë bota progresive si vatër të dytë të luftës në Ukrainë e shohin Serbinë kundër Kosovës e kryeministri i Shqipërisë kurrsesi nuk mund të ndahet nga dashnori politik i Serbisë, Vuçiqi’.

“Si vërehet Edi Rama më lehtë ndahet prej shqiptarëve të Kosovës sesa prej presidentit të Serbisë Vuçiqit, i cili jo që përkrah agresionin rus në Ukrainë, por së bashku me Ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, i kërcënohet me luftë Kosovës, kurse nga goja e Edi Ramës një fjalë nuk del kundër Vuçiqit. Elita politike serbe po thuaj se çdo ditë kërcënon Kosovën me armë, kurse Edi Rama hesht, kjo tregon se politikisht, indirekt e heshturazi Rama është me Serbinë e Rusisë agresive e kundër SHBA-së, BE-së e Britanisë së Madhe e NATO-s. Për çudi i gjithë globi njerëzor është kundër luftës ruse, përveç Serbisë e ky kryeministri ynë, Edi Rama, fare nuk ndahet nga i dashuri i tij politik, Aleksandër Vuçiqi”, thekson Mehazi.

Lexo më shumë  SHBA-ja dhe Britania sanksionuan NIS-in, Vuçiq: Kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia

Ai thotë më tutje se, është e pamundur të mos ta kuptonte, Edi Rama i Shqipërisë, se, pse vëllai i vogël Vuçiqi i Serbisë përkrah vëllain e madh Putinin e Rusisë, kurse vëllai i madh shqiptar, Edi Rama, mos t’ia kuptonte hallin e vëllait të vogël të Kosovës, Albin Kurtit?

“Veprimet e pamatura politike të Edi Ramës në përkrahje të Serbisë jo që dëmtojnë Republikën e Kosovës, por edhe imazhin e shqiptarëve në botë dhe për këtë shkak elita politike e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurtin dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, t’i dërgojnë notë proteste jo vetëm Shqipërisë, por edhe SHBA-së e BE-së kundër veprimeve të qeverisë së Shqipërisë ndaj Kosovës e në përkrahje të hapur të Serbisë”, vlerëson ai.

Mehmeti: Kosova po dëmtohet shumë nga afërsia e Ramës me Vuciqin

Ndërkaq analisti politik, Faton Mehmeti duke u lidhur me këtë ҫështje vlerëson se, rreshtimi i Edi Ramës në krah të Vuçiqit ka vulosur fatin e tij, rreshtimi i gabuar nënkupton që Rama gjithnjë të kujtohet, edhe kur mos të jetë në politikë, si argat i Beogradit.

“Fatkeqësisht tek ne, të tillë politikanë kemi pasur shumë, prandaj kombi ynë është si mos më keq. Edi Rama, por edhe tërë shqiptarët, kanë pasur tani rastin historik të godasin Serbinë politikisht duke përfituar, me faktin se Serbia u rreshtua në anën e gabuar të botës, rreshtimi me Rusinë duhet të ishte avantazh i madh yni. Por, kjo s’po ndodh, përkundrazi po goditet Kosova nga Rama, në vend se të ndodhte e kundërta”, vlerëson ai.

Analisti Mehmeti thotë se, Kosova po dëmtohet shumë nga afërsia e Ramës me Vuçiqin, derisa Kosova ka nevojë për Shqipërinë ashtu siҫ ka nevojë ‘biri për nënën’.

“Kosova, së bashku me kryeministrin Kurti duhet ta pyes Ramën me Kosovën apo Vuçiqin, nëse vendos të vazhdojë me këtë të fundit, ai të shpallet “non grata” ashtu si edhe Vuҫiqi, njerëzit që po bëjnë çdo gjë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj”, vlerëson ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *