Gjermania drejt racionalizimit të gazit. Bën “paralajmërimin e parë” për krizën e mundshme të furnizimit me gaz rus
Nga Joseph Nasr dhe Vera Eckert
BERLIN, 30 mars (Reuters) – Gjermania shpalli të mërkurën një “paralajmërim të hershëm” për një emergjencë të mundshme të furnizimit me gaz, duke thënë se masa u mor për të përgatitur rrezikun e ndërprerjes të rrjedhave të gazit natyror nga Rusia.
Njoftimi – shenja më e qartë deri tani se Bashkimi Evropian po përgatitet për ndërprerje të furnizimit pas vendosjes së sanksioneve të paprecedentë pas pushtimit rus të Ukrainës – vjen pasi Moska planifikon të prezantojë një mekanizëm të ri duke e kthyer pagesën për gazin e saj në rubla.
Kjo kërkesë që është refuzuar nga vendet e G7, përfshirë Gjermaninë, dhe ngjalli frikën e ndërprerjeve.
Sipas planit ekzistues të emergjencës së gazit të Gjermanisë, paralajmërimi i hershëm është faza e parë nga tre të tilla dhe nuk nënkupton ende ndërhyrjen e shtetit për racionimin e gazit.
Por, Ministri i Ekonomisë Robert Habeck u bëri thirrje konsumatorëve dhe kompanive të reduktojnë konsumin, duke thënë se “çdo kilovat orë ka rëndësi”.
PËRGATITJE PËR ‘TË GJITHË SKENARËt’
Ai tha në një konferencë shtypi se furnizimet me gaz janë të mbrojtura për momentin dhe se Gjermania po monitoron nga afër flukset e furnizimit me operatorët e tregut.
“Megjithatë, ne duhet të rrisim masat paraprake për t’u përgatitur për një përshkallëzim nga ana e Rusisë,” tha Habeck.
Me shpalljen e nivelit të paralajmërimit të hershëm është mbledhur një ekip krizash.
Rusia përbënte 55% të importeve të gazit të Gjermanisë në vitin 2021. Edhe pse kjo shifër ra në 40% në tremujorin e parë të 2022, Habeck ka thënë se Gjermania nuk do të arrijë pavarësinë e plotë nga furnizimet ruse përpara mesit të vitit 2024.
“Ekipi i krizës, i cili përfshin anëtarë të ministrisë së tij, rregullatorit gjerman të rrjetit, operatorët e rrjetit dhe përfaqësues të 16 shteteve federale të Gjermanisë, do të monitorojnë nga afër situatën, në mënyrë që – nëse është e nevojshme – të merren masa të mëtejshme për të rritur sigurinë e furnizimit”.
Kreu i rregullatorit gjerman të rrjetit Bundesnetzagentur, Klaus Mueller, në një postim në Twitter tha se qëllimi i paralajmërimit të hershëm ishte të shmangte një përkeqësim të furnizimit dhe u bëri thirrje konsumatorëve dhe industrisë që të përgatiten për “të gjithë skenarët”.
© Rruga Press