Lajme

SHBA-ja me përkushtim të pazbehur për Kosovën

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Qeverinë e Kosovës për të avancuar prioritetet e përbashkëta, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kjo përgjigje nga autoritetet e SHBA-së erdhi pavarësisht kritikave që vendet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani) i kanë adresuar Qeverisë së Kosovës, pas moslejimit të mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të caktuara më 3 prill.

Në reagimin e vendeve të Quint-it, më 23 mars, është shprehur “zhgënjimi i madh” ndaj vendimit e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se sjellja e saj “nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.

SHBA-ja vazhdon “të ndihmojë Kosovën”

Por, përkushtimi i SHBA-së për të avancuar prioritetet e përbashkëta, i cili përmendet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH-it, nënkupton që SHBA-ja “të ndihmojë Kosovën të zhvillojë qeverisje të përgjegjshme, efektive, të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme, dinamike dhe të arrijë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, ndërsa ajo zë vendin e saj përkrah tyre në Evropë dhe institucionet euroatlantike”.

“Ky prioritet përfundimtar dhe i rëndësishëm- integrimi i plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike – është një prioritet i përbashkët i deklaruar nga qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë”.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se mënyra më e mirë për të dyja vendet për ta arritur këtë është përmes angazhimit aktiv dhe fleksibil të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke rezultuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Marrëdhëniet që tejkalojnë një qëndrim të Qeverisë”

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, me pyetjen se a ka pasur çfarëdo ndryshimi në raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas reagimit kritikues nga ana e Quint-it për moslejimin e zgjedhjeve serbe.

Lexo më shumë  Ministrja Rizvanolli njofton se do të investojnë në 22 banesa sociale në dhjetë komuna të Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se “Qeveria e Kosovës vazhdon të kultivojë marrëdhëniet historikisht dhe tradicionalisht të mira dhe miqësore me SHBA-në”.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është konstruktiv dhe se Qeveria e Kosovës është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me administratën e presidentit Joe Biden, si dhe me përfaqësuesit e shtetit amerikan në Kosovë.

“SHBA-ja është aleati ynë strategjik dhe historik, ndaj të cilit kemi dëshmuar partneritet të besueshëm dhe të qëndrueshëm, së fundmi në rastin e strehimit të më shumë se 1.400 refugjatëve afganë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë aq të posaçme e të thella sa e tejkalojnë një qëndrim apo një tjetër të Qeverisë”, theksoi Kryeziu.

Rashiti: SHBA-ja nuk ka pritur telashe me zgjedhjet serbe

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se, pas reagimit të Quint-it e deri më tash, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i çfarëdoshëm në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, e cila shihet si partnerja kryesore e vendit.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët që të shihet nëse do të ketë ndryshime të raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Por, sipas tij, është e qartë që deklarata e Quint-it është “shumë e ashpër dhe habit formulimi i saj”.

Por, sipas tij, kërkesa për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ka qenë në vazhdën e përpjekjeve të SHBA-së për të ndihmuar dialogun Kosovë-Serbi dhe proceset rajonale dhe siç thotë ai, nga pikëpamja amerikane, nuk është pritur se mund të ketë telashe me këto zgjedhje.

“Se si do të reflektojë kjo në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në mbetet të shihet. Natyrisht që SHBA-ja është shumë e preokupuar me çështjen e luftës në Ukrainë. Por, natyrisht që SHBA-ja e sheh këtë jo si një kontribut për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor apo për ndërtimin e klimës për avancimin e dialogut dhe për ndërtimin e marrëveshjeve të reja në dialog me Serbinë”.

Lexo më shumë  Kamberi: Raporti për Serbinë është thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë

“Thënë troç, vendimi i Qeverisë (së Kosovës) e bën pak më të vështirë dialogun për temat që janë në proces të dialogut ndërmjet dy vendeve dhe në të cilin proces, SHBA-ja ka llogaritur se pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë një dinamikë të re”, thekson Rashiti.

Hajrullahu: Nuk vërehen luhatje të raporteve SHBA-Kosovë

Arben Hajrullahu, profesor në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se pas reagimit të vendeve të Quint-it, të cilin e vlerëson “të ashpër”, nuk ka pasur ndonjë shenjë të luhatjes së raporteve të Kosovës me SHBA-në.

Ai shpreh mendimin se situata me moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë është e ngjashme me situatën e moslejimit të mbajtjes në Kosovë të referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për çështje e gjyqësisë, që u mbajt më 16 janar.

“Për shembull, edhe pas referendumit atje, ku po ashtu Quint-i shprehu pakënaqësinë e vet këtu. Mirëpo, shumë shpejt, ato ditë, ambasadori i SHBA-së në OSBE, me seli në Vjenë, (Michael Carpenter), doli dhe e bëri të qartë që Kosova është shtet sovran dhe se e ka të drejtën për të marrë vendime sovrane edhe në këtë aspekt”, tha Hajrullahu.

Më 20 janar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, publikoi deklaratën me të cilën ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter, i drejtohej Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.

“Megjithatë, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për caktimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, thuhej ndër të tjera në këtë deklaratë. /REL/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *