Vulini kritikohet në Serbi se po u jep legjitimitet kriminelëve serbë
Fondacioni për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, ka kritikuar ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, pasi është parë në shoqërinë e Sasha Cvjetanit, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Përmes një reagimi, të martën, ky fondacion thotë se Sasha Cvjetan ishte pjesëtar i njësisë “Scorpions” i dënuar në vitin 2005 me 20 vjet burg për krime lufte kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Për të, fondacioni thotë se ishte mysafir nderi në shënimin e Ditës së Komunës së Srebrenicës, më 11 mars të këtij viti.
Fondacioni për të Drejtën Humanitare ka thënë se në ceremoni, në të njëjtin rresht me Cvjetanin, ishte ulur edhe Vulini, i cili mbajti fjalim me atë rast.
“Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) mendon se është e papranueshme që zyrtarët e lartë serbë të jenë në shoqërinë e kriminelëve të luftës, duke u dhënë kështu atyre me vetëdije legjitimitet për të marrë pjesë në jetën politike. Në këtë mënyrë bëhet rehabilitimi i të dënuarve për krimet më të rënda të luftërave të viteve 1990 dhe revizionizmi historik i fakteve të vërtetuara nga gjykata”, thuhet në njoftim.
Një prej këtyre krimeve serbe ka ndodhur edhe në Srebrenicë, më 11 korrik 1995, kur forcat serbe vranë mbi 8000 myslimanë të paarmatosur, që është vlerësuar si gjenocid.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka rikujtuar se më 28 mars 1999, pjesëtarët e njësisë rezervë të MPB-së Serbisë “Scorpions”, duke përfshirë edhe Sasha Cvjetanin, qëlluan 14 civilë shqiptarë në Podujevë – shtatë fëmijë të moshës nga 2 deri në 15 vjeç dhe shtatë gra, duke theksuar se pesë prej tyre (fëmijë) u mbijetuan të shtënave.
Sipas këtij reagimi, Sasha Cvjetan u dënua për këtë vepër në vitin 2005 para Gjykatës së Qarkut në Beograd, ndërsa në vitin 2010 u dënuan autorë të tjerë – Dragan Borojeviq, Miodrag Solaja dhe Dragan Mediq, dhe në vitin 2011, pas rigjykimit u dënua edhe Zheljko Djukiq.
“Cvjetan u lirua më 22 mars 2018, më shumë se tre vjet e gjysmë para përfundimit të dënimit, pasi kërkesa e tij për lirim me kusht u pranua. Në marrjen e vendimit për lirimin me kusht, gjykata nuk mori parasysh rrethanat që duhej të merrte në konsideratë, si peshën e krimit e mungesën e pendimit”, thuhet tutje në reagim.
Përveç kësaj bëhet e ditur se në tubimin e partisë së Vulinit, të mbajtur më 27 mars të këtij viti, një nga folësit ishte edhe gjenerali në pension, Vladimir Lazareviq, po ashtu i dënuar para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë për ndihmë dhe nxitje të krimeve kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Lazareviq u dënua me 14 vjet burg dhe lirimi i tij i parakohshëm u dha në vitin 2015, kur ai u prit në aeroportin e Nishit nga një delegacion shtetëror i kryesuar nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe ai i Drejtësisë, Nikola Selakoviq.
Fondi për të Drejtën Humanitare u ka kërkuar institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve publikë në Serbi që të ndalojnë rehabilitimin e kriminelëve të luftës, të dënojnë qartë krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të viteve 1990 dhe politikat që çuan në to, të respektojnë vendimet e gjykatave, duke kërkuar që të respektohen viktimat.
Vulin është një prej politikanëve më ekstremistë në Serbi dhe për shumë vite edhe në pushtet. Ai në shumë raste ka fyer shqiptarët, sidomos duke i quajtur “Shiptari”.
Rruga Press