Ukraina bën thirrje që të ndalohet përdorimi i simbolit “Z” ajo përfaqëson krimet e luftës
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u ka bërë thirrje të martën vendeve të tjera që të kriminalizojnë përdorimin e simbolit “Z”, i cili përdoret në automjetet ushtarake ruse që po marrin pjesë në luftë.
Në një mesazh në Twitter, ministri, i cili të hënën ka folur për ambiciet e vendit të tij për një armëpushim në bisedimet e së martës me Rusinë, ka thënë se “mbështetja publike e kësaj barbarie duhet të ndalohet”.
“Unë u bëj thirrje të gjitha shteteve të kriminalizojnë përdorimin e simbolit ‘Z’ si një mënyrë për të mbështetur publikisht luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Z do të thotë krime ruse të luftës, qytete të bombarduara, mijëra ukrainas të vrarë. Mbështetja publike për këtë barbarizëm duhet të ndalohet”, ka shkruar Kuleba.
Të hënën Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka thënë se personat që shfaqin simbolin “Z” në mbështetje të pushtimit rus mund të ndiqen penalisht në vend.
Autoritetet në Berlin, Bavari dhe Saksoni të Ulët kanë thënë se do të ndëshkojnë akte të tilla.