Muzeu Kombëtar: “Dasma e Lunxhërisë” në 1874, shfaqja e parë e dokumentuar
Muzeu Historik Kombëtar me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, që shënohet më 27 mars përkujtoi fillimet artistike të teatrit në Shqipëri. MHK ka publikuar një material, ku shkruhet se shfaqja e parë u vu në fshatin Qestorat në Gjirokastër. “Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër. Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit””, thuhet në materialin e MHK.
Në materialin e MHK thuhet se drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906), etj. MHK shprehet se teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë.
Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori prej vitesh me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios”, thuhet nga MHK. 27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit, që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.
Rruga Press