“Oscars 2022”: Nominimet, prezantuesit dhe polemikat e sivjetme – gjithçka që duhet të dini rreth ceremonisë së çmimeve të këtij viti
Çmimet e Akademisë, të njohura edhe si “Oscars”, janë një ceremoni ku Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit (AMPAS) shpërndan çmime për përsosmërinë krijuese dhe teknike në industrinë e filmit.
AMPAS mbajti çmimet e tyre të para “Oscars” në vitin 1929.
“Oscars 2022” shënon edicionin e 94-të të çmimeve të Akademisë, shkruan Al Jazeera.
Çfarë është një çmim “Oscar” dhe kush janë të nominuar në “Oscars 2022”?
Çmimi i Akademisë së Meritës, i quajtur ndryshe si “Oscars”, është një statujë e artë që jepet për të shpërblyer arritjet e larta në një kategori specifike, duke përfshirë, aktrimin, regjinë, montazhin, partiturën dhe kostumografinë, ndër të tjera.
Filmi “The Power of the Dog” i Netflix-it kryeson listën e nominimeve me gjithsej 12 kategori, duke përfshirë çmimet ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjia më e mirë’ dhe disa çmime të tjera për aktrim.Në kategorinë e çmimit kryesor, janë gjithashtu të nominuar: “Coda”, “Dune”, “Belfast”, “Don’t Look Up”, “King Richard”, “Nightmare Alley”, “Licorice Pizza”, “west Side Story” dhe “Drive My Car”.
Kur dhe ku mbahet “Oscars 2022”?
Çmimet “Oscars” do të mbahen sonte (e diel_ më 27 mars 2022, në orën 2:00 të mëngjesit (sipas orës lokale).
Ceremonia do të zhvillohet në Teatrin “Dolby”, që ndodhet në Los Angeles, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kush janë nikoqiret e “Oscars 2022”?
Prezantueset e ceremonisë së këtij viti janë aktoret Regina Hall, Amy Schumer dhe Wanda Sykes. Ndërsa Hall është e njohur për aftësinë e saj për të interpretuar role komike në filma, Schumer dhe Sykes janë komedianë të shfaqjeve ‘stand-up’ përveçse aktore.
Kjo është hera e parë në historinë e “Oscars” që tri gra do të prezantojnë gjithë shfaqjen.
Oscars nuk ka pasur një prezantues që nga Jimmy Kimmel në vitin 2018.
Ceremonia e vitit 2021 pati një shikueshmëri të ulët – madje më të ulëtën të të gjitha kohërave me më pak se 10 milionë njerëz që e shikuan shfaqjen drejtpërdrejt.
Këtë vit Akademia synon të rifitojë shikueshmërinë e humbur dhe të rrisë influencën e mbrëmjes.
A ka polemika rreth “Oscars” këtë vit?
Në një përpjekje tjetër për t’i mbajtur shikuesit sa më gjatë në shfaqje, Akademia vendosi të shkurtojë segmentin drejtpërdrejt duke hequr tetë kategori çmimesh nga programi televiziv i këtij viti, duke shkaktuar polemika. Akademia u përpoq të heqë katër kategori nga “Oscars 2019”, por iu desh të anulonte vendimin e saj pas një reagimi të ashpër.
Tetë çmimet, përkatësisht: ‘Dokumentari i shkurtër më i mirë’, ‘Editimi më i mirë filmik’, ‘Makijazhi dhe flokët më të mira’, ‘Kolona zanore më e mirë’, ‘Produksioni më i mirë’, ‘Filmi më i mirë i animuar, i shkurtër’, ‘Filmi më i mirë i shkurtër’ dhe ‘Zërimi më i mirë’ do të jepen një orë më parë dhe fjalimet e pranimit të fituesit do të të redaktohen në transmetim të drejtpërdrejtë më vonë.
Një tjetër ngjarje që shkaktoi reagime publike ishte fakti se Rachel Zegler, aktorja e “West Side Story”, nuk ishte e ftuar në ceremoni – edhe pse filmi për të cilin ajo punoi u nominua shtatë herë.
Më vonë, Akademia e ktheu vendimin e saj dhe Zegler mori një ftesë për t’u paraqitur në “Oscars 2022”.
“Jam shumë e emocionuar për të hapur atë zarf me shkëlqim”, tha aktorja në Twitter. “Nuk mund të isha më mirënjohëse për të gjithë ata që ndihmuan për ta bërë këtë të mundur. Seriozisht. Tani çfarë të veshë”, shkroi tutje ajo.
Cilat janë kategoritë e reja të shtuara për “Oscars 2022”?
Kategoria “Filmi i preferuar i fansave” është një çmim i ri që do të ndahet sivjet nga publiku, nga një votim që është hapur online në internet.
Publiku mund të votojë për këtë çmim duke shpërndarë “filmin e tyre të preferuar” ose “momentin e tyre të preferuar në ndonjë film”, duke përdorur hashtag-ët #OscarsFanFavorite dhe #OscarsCheerMoment në rrjetin social Twitter.
Rruga Press