Art & Kulturë

Jeta dhe arti i Lumturi Blloshmit: Rrugëtimi drejt Bienales së Venecias

Kuratorja Adela Demetja tregon artin e piktores Lumturi Blloshmi dhe përmbushjen e dëshirës së saj që veprat t’i ekspozoheshin në Bienalen e Venecias.

Në njërën nga aulat e universitetit ‘Polis”, kuratorja Adela Demetja tregoi të premten se si po bëhet realitet dëshira e piktores Lumturi Blloshi për t’u ekspozuar në Bienalen e Venecias.

“Është hera e parë që prezantohemi me një artiste femër. Thelbi i ekspozitës do të jenë autoportretet e Lumes, një artiste konceptuale,” tha Demetja, duke iu referuar prezantimit të këtij viti në pavionin e Shqipërisë në Bienale.

Demetja tha se e kishte diskutuar me Lumen idenë e prezantimit të veprave në Bienalen e Venecias, përpara se ajo të ndërronte jetë.

“Lumja nuk arrinte ta besonte se mund të realizohej, por ne kishim vendosur ta provonim,” shtoi ajo.

Piktorja Lumturi Blloshi lindi në Tiranë në vitin 1944 dhe ndërroi jetë në nëntor 2020 në moshën 76-vjeçare, pasi u infektua nga COVID-19. Jeta e saj u trondit që në fëmijëri, kur ajo ishte vetëm 2 muajshe dhe babai i saj u rrëmbye pa lënë gjurmë nga regjimi komunist dhe për fatin e tij nuk u mësua më asgjë.

Kjo ndikoi në qasjen e sistemit ndaj familjes dhe vetë Lumturisë si “armiq të popullit”, apo edhe në karrieren e saj në vitet e mëvonshme.

Gjatë vitit ’74,  Lumturisë nuk iu rinovua leja për krijimtari artistike nga “Lidhja e Shkrimtarëve”, gjë që çoi në një ndërprerje pothuajse 10-vjeçare të karrierës së saj si piktore.

Lumturi Blloshmi me pikturat e saj në sfond. Foto kortezi nga arkiva e piktores.

Kuratorja Demetja tha se Lumja ishte e vetmja grua në grupin e artistëve që i përkisnin “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”, e si pasojë kjo ia vështirësonte dhe rrugëtimin në karrierën e saj.

“Shtëpia e Lumes ishte gjysmë studio dhe gjysmë apartament,” tha Adela Demetja. “Ajo nuk u martua kurrë, nuk kishte trashëgimtar dhe si pasojë gjithë energjinë e saj ia kushtonte artit të saj,” shtoi kuratorja.

Me rënien e regjimit komunist, Lumturi Blloshmi vijoi edhe më fort krijimtarinë e saj, duke mos u ndalur vetëm tek piktura, por duke eksperimentuar me fotografinë, performancat apo instalacionin.

Vetë kuratorja tha se ishte njohur me Blloshmin në vitin 2016 dhe nuk e pati të lehtë të hynte në rrethin e miqve të saj.

“…nuk ka qenë e lehtë t’i afroheshe, sepse përveç energjisë së madhe, ajo ishte dhe tepër skeptike. Megjithatë, pas bashkëpunimeve tona ne u bëmë mike të mira,” shtoi Demetja.

Demetja shprehu keqardhjen për humbjen e Blloshmit pa pasur një arkivë të mirëfilltë të veprave të saj; një fakt që sipas kuratores ka nevojë për reflektim mbi vlerësimin dhe përfaqësimin e denjë të artistëve shqiptarë, sidomos atyre gra.

“Lumja e kërkonte përherë vendin e saj në art dhe punonte fort për të. Thyerja e kornizave dhe eksperimentimi ishte thelbi i punës së saj,” përfundoi Demetja.


Kuratorja Adela Demetja dhe piktorja Lumturi Blloshmi. Foto kortezi nga arkiva e piktores Lumturi Blloshmi.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *