Diplomati i lartë kinez takohet me ministrin e jashtëm rus në Moskë
Ndërsa Kina përballet me kritikat dhe presionin nga Perëndimi për mos denoncimin e pushtimit rus ndaj Ukrainës, një diplomat i lartë kinez udhëtoi në Moskë për t’u takuar me zyrtarë rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov ditën e shtunë.
Liu Xiaoming, përfaqësuesi i Kinës për çështjet koreane tha përmes Twitterit se ai kishte “diskutime të thella mbi situatën e Gadishullit Korean dhe çështjet ndërkombëtare me interes të përbashkët”.
Liu tha gjithashtu se ai zhvilloi bisedimet e tij të para ballë për ballë me zëvendësministrin e jashtëm rus Igor Morgulov.
Vizita e të dërguarit nga Kina, vjen pasi Koreja e Veriut konfirmoi se testoi një lloj të ri rakete balistike ndërkontinentale, e cila përfaqësoi testin e saj të parë me rreze të gjatë në më shumë se katër vjet, duke shënuar një epokë të re të mundshme të konfrontimit rajonal si dhe duke ngritur shqetësime me fqinjët e saj duke përfshirë Rusinë dhe Kinën.
Rruga Press