Protestë në veri të Kosovës; REL: Punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia “obligim pune” që të marrin pjesë
Popullata lokale serbe në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, po proteston të premten kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.
Protestuesit mbanin parulla “Me paqe kundër dhunës së Kurtit”, “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.
Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po proteston në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë ardhur në mënyrë të organizuar në Graçanicë.
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.
Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.
Prishtina zyrtare pretendon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk ishin të ndaluara, porse nuk u arrit marrëveshje ndërmjet dy palëve për mbajtjen e tyre. Kryeministri Albin Kurti këmbënguli që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohjen e Kosovës dhe refuzoi ta bëjë këtë.
Shtetet e Quint-it kritikuan ashpër Qeverinë e Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Quint-i deklaroi se e vlerësoi qasjen e Serbisë në gjetjen e zgjidhjes, por se Kosova ka refuzuar një propozim konstruktiv nga shtetet e Quint-it për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.
Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars. Në takim morën pjesë edhe gjyqtarë dhe zyrtarë policorë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar të enjten kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, për pjesëmarrje në atë tubim, deri në vendimin përfundimtar të komisionit disiplinor. Zyrtarët e Kosovës thanë se pjesëmarrja e saj në tubim minon integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.
Të premten, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është duke u “shqyrtuar” edhe pjesëmarrja e drejtuesve të policisë serbe në takimin me Vuçiqin.
Pas suspendimit të Lilana Stevanoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë veprim është shkelur Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vitit 2013. Marrëveshja integroi forcat policore dhe gjyqësorin brenda sistemit të Kosovës.
Serbëve të Kosovës u është thënë se do të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, në Serbinë qendrore./REL
Rruga Press