Ukrainasi që tentoi ta fundoste jahtin e oligarkut rus në Spanjë, i bashkohet ushtrisë së Ukrainës
Për 10 vjet, Taras Ostapchuk punoi në atë që për shumë persona është puna e ëndrrave, si kryeinxhinier për “Lady Anastasia”, një jaht luksoz që lundronte kryesisht nga një port i pasur në tjetrin përtej Detit Mesdhe, shkroi CNN të premten.
Por më 26 shkurt, me futjen e anijes në ishullin spanjoll Mallorca, në Mesdhe, gjithçka ndryshoi.
Ostapchuk pa raportimet e mediave për një sulm me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh në qytetin e tij të lindjes, Kiev. Ishte e ngjashme me apartamentin ku ai jetonte me gruan e tij, kur nuk ishte në anije.
Në atë moment, ai tha, “Mendoj se shtëpia ime është në radhë”. Pikërisht atëherë ai vendosi të fundoste jahtin. “Ishte hapi im i parë për luftën me Rusinë”.
Në një intervistë me CNN nga Ukraina, Ostapchuk, 55 vjeç, tha se ai e lidhi shkatërrimin në qytetin e tij direkt me njeriun që ai e quan pronari i “Lady Anastasia”: oligarku rus Alexander Mikheev. Ai është shefi ekzekutiv i kompanisë ruse të armëve Rosoboronexport, e cila shet gjithçka, nga helikopterët, tanket, sistemet raketore, nëndetëset.
Misioni i tij, Ostapchuk vendosi: Ta fundoste anijen “Lady Anastasia”.
Ai tregon se u drejtua në dhomën e motorit ku hapi një valvul të lidhur me trupin e anijes. Ndërsa uji vërshoi, ai mori rrugën për në hapësirat e ekuipazhit, ku hapi një valvul tjetër.
“Ishin edhe tre anëtarë të ekuipazhit aty me mua. U thash atyre se anija po fundosej dhe se ata duhej të largoheshin”, ka thënë ai në rusisht.
Mikheev u sanksionua nga Departamenti amerikan i Shtetit më 15 mars.
Ostapchuk shprehet i bindur se anija luksoze i takon Mikheevit. “Përgjatë 10 vjetëve jahti është shfrytëzuar për pushime vetëm nga Mikheevi dhe familja e tij, prandaj mendoj se pronari i vërtetë i saj është ai”.
Tre anëtarët e ekuipazhit janë po ashtu ukrainas, por kur Ostapchuku u tregoi se po e fundoste jahtin, ata e quajtën të çmendur. Më pas ata thirrën autoritetet e portit dhe policinë. Punonjësit e portit arritën ta parandalonin anijen nga fundosja. Ostapchuku u arrestua.
“Deklarova në polici se tentova ta fundosja anijen si shenjë proteste ndaj agresionit rus”, ka thënë ai.
“Duhet të zgjedhësh. Ti je ose nuk je me Ukrainën. Duhet të vendosësh, a do të ketë një Ukrainë, apo do ta mbash punën… Unë nuk kam nevojë për një punë nëse nuk kam Ukrainë”.
Kur CNN foli me Ostapchukun të mërkurën nga Ukraina, biseda u ndërpre nga sirenat e alarmit dhe më vonë ai u kthye nga strehimi, dhe tha se sapo autoritetet spanjolle e kishin liruar më 27 shkurt, ai ishte kthyer në Ukrainë.
“Tani shërbej në ushtri, dhe shpresoj se shërbimi im do ta sjellë më afër fitoren”, ka thënë ai.
Rruga Press