Clark: Nder jetësor që pata mundësinë të ndihmoja në ndalimin e spastrimit etnik
Ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, në një videoadresim për qytetarët e Kosovës në 23-vjetorin e nisjes së intervenimit të NATO-s për çlirimin e Kosovës, ka thënë se e vlerëson nder jetësor faktin që ka pasur mundësinë të ndihmojë në ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve nga forcat serbe.
Duke kujtuar 23 marsin e vitit 1999, Clark në videoadresim ka thënë se ky intervenim i NATO-s ka ndryshuar historinë e Kosovës dhe të Evropës.
“I është dhënë shpresë dhe dritë gjithë botës. Por jam posaçërisht shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomik sfidues që keni ndërmarrë, dhe jam veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mua, ishte nderi i jetës që isha komandant i NATO-s, dhe që pata mundësinë të ndihmoj në ndalimin e spastrimit etnik”, ka thënë ai.
Teksa ka kujtuar ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, Clark ka thënë se para disa ditësh ka pasur takim me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, dhe ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, dhe se e të gjithë kanë mbajtur qëndrimin se NATO-ja ka bërë gjënë e duhur para 23 vjetësh.
Ishte gjëja e duhur për Kosovën, për NATO-n dhe për botën, ka thënë ai.
Për shkak të krizës në Ukrainë, Clark ka thënë se fokusi është i plotë aty, por ka shtuar se fokusi s’do të hiqet nga Kosova për shkak që ky shtet ka nevojë për ndihmën e perëndimorëve.
“Ju ende keni nevojë për ndihmën tonë, ne e dimë këtë, e vlerësojmë, ne ju duam dhe duam që ju të keni më të mirën për demokracinë tuaj dhe për secilin prej jush, për jetët tuaja si anëtarë të komunitetit perëndimor. Prandaj të gjitha urimet, të gjitha bekimet nga SHBA-ja në këtë ditë të rëndësishme. Do t’ju përcjellim dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju mbështetur”, ka thënë ndër tjerash Clark.
Rruga Press