AKEP miraton “në heshtje” shitjet e ALBtelecom dhe ONE
Gjatë muajit mars, kompania hungareze 4iG mbylli dy transaksione të rëndësishme në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke blerë paketat kontrolluese të aksioneve në kompanitë ALBtelecom dhe ONE.
Në pritje të shkrirjes së afërme mes dy operatorëve, 4iG është bërë grupi më i madh në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri, me 55% të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare, 22% të atyre të abonentëve të internetit me brez të gjerë dhe 78% të abonentëve të telefonisë fikse.
Transaksionet u mbyllën pas marrjes së miratimeve të nevojshme rregullatore, ndër të cilat më të rëndësishme ishin ato të Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Autoriteti i Konkurrencës e argumentoi dhënien e autorizimit me gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej ALBtelecom dhe me pamundësinë e saj për të mbijetuar në treg, duke parë humbjet e vazhdueshme të akumuluara që prej privatizimit të kompanisë. Ndërkohë, rregullatori i përfshirë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në tregun përkatës, AKEP, ende sot e kësaj dite nuk ka bërë publik asnjë vendim ku të argumentojë dhënien e pëlqimit për kryerjen e këtij transaksioni.
Ligji “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, përcakton qartë se të gjithë operatorët e pajisur me Autorizim Individual nuk mund ta transferojnë të drejtën e përdorimit të frekuencave tek një sipërmarrës tjetër, pa miratimin paraprak të AKEP. Neni 74 përcakton se “ndalohet transferimi i së drejtës për përdorimin e frekuencës në një sipërmarrës tjetër, në rast se për këtë nuk është dhënë, paraprakisht, miratimi nga AKEP-i. Miratimi mund të jepet vetëm përkundrejt kërkesës me shkrim nga mbajtësi i autorizimit. Pas marrjes së kërkesës për transferim, sipas pikës 1 të këtij neni, AKEP-i duhet të verifikojë, nëse sipërmarrësi, të cilit kërkohet që t’i kalojë e drejta e përdorimit të radiofrekuencës, i përmbush të gjitha kërkesat e këtij ligji dhe rregullat përkatëse, të zbatueshme nga AKEP-i, si edhe që, nga transferimi i kërkuar, nuk krijohen deformime në konkurrencë dhe nuk dëmtohet përdorimi i rregullt, i sigurt dhe efiçent i spektrit të frekuencave. AKEP-i e vlerëson kërkesën për transferim të së drejtës për përdorim të frekuencës edhe në kuadër të rritjes së efiçencës së përdorimit të spektrit të frekuencave, mbrojtjes së interesit publik dhe transparencës për transferimin”.
Mbështetur në përmbajtjen e nenit përkatës të ligjit organik që rregullon tregun e komunikimeve elektronike, mund të kuptohet qartë se dhënia e miratimit të AKEP nuk është thjesht një procedurë formale, por një parakusht i rëndësishëm për të garantuar shfrytëzimin eficient të spektrit dhe për të shmangur deformime të konkurrencës.
Duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe të tregut dhe të kompanive të përfshira në transaksion, në rastin konkret AKEP ka detyrim për të qenë transparent në vendimmarrjen e vet dhe për të argumentuar se transferimi i të drejtave mbi autorizimet individuale të ALBtelecom dhe ONE nuk cenon interesin publik. Në rastin konkret, qëndrimi i AKEP është edhe më i rëndësishëm sepse transaksioni sjell ulje të numrit të operatorëve celularë, nga tre në dy të tillë.
Përfundimi i transaksioneve natyrisht nënkupton se ky institucion e ka dhënë miratimin e vet, por kjo është bërë pa zbatuar edhe detyrimin minimal ligjor për t’i bërë publike vendimet përkatëse.
Burime nga tregu bëjnë të ditur në fillim të muajit janar Këshilli Drejtues i AKEP ka marrë një vendim lidhur me transferimin e paketës së aksioneve të ALBtelecom te 4iG, ndërsa besohet se në vijim një vendim i ngjashëm është marrë edhe për ONE./Monitor
Rruga Press