Kryemjeshtri i rritjes së çmimeve, pelerina dhe ekspertiza psikanalitike
Shkruan Hana Mitrovica
Edi Rama, ky magnet epitetesh të panumërt jo më si kryemanekin shallvaresh. Pos pronar poturesh dhe epitetesh, tash në zotërim ka edhe pelerina e kimono. Dhe kjo nuk është e tëra. Mbi të gjitha ai zbuloi se ka edhe aftësi analize psikologjike mbi qytetarët. Po. Lexuat saktë.
Një rekuizitë e re kjo pelerina e tij prej 4300 dollarësh. Në pamje vërtet si një kimono paksa e modifikuar. A po mundohet të na komunikojë Edi Rama vokacionin e tij të ardhshëm në vijim: 1. Dizajner; 2. Model apo 3. , , , ?!
Me topografi qëndrimi duket se ende mbahet te vendbunkeri në Surrel. Se fadronat te adresa e tij nuk kanë arritur… për modifikim planimetrie urbanistike ashtu si për tjerët te “5 Maji” edhe disa zona tjera të kryeqytetit. Rëndom, asisoj çojnë mall të një lloj domino efekti. Ani se raportohet jo shumë larg brigjeve të detërave shqiptarë, në afërsi diku duket ta ketë lëshuar spirancën jahti i oligarkut Abramovich. Po mblidhen, po mblidhen, gradualisht. Dinë të rigrupohen ashtu kohë pas kohe pas kulisave kukullat e kuloareve, te vendi.
I shquar si rrënues perspektivash, jetësh punëtorësh, familjesh dhe vendbanimesh, tash më në fund me politikat e tij 3D dhe virtuale, bota po e njeh të shfaqur në tërë edicionin e tij të glorifikuar edhe si kryeprotagonist fiskalo-tatimor i modifikimit të çmimeve, gjegjësisht rritjes së tyre.
Por duhet ta kuptojmë Edi Ramën. Ai është një artist. Dhe artisti rri në të drejtën e plotë për të modifikuar të gjithat që ia do zemra dhe shpirti. Brenda botës së tij imagjinare, ama.
Por, ai duket se më nuk kupton gjë nga ajo botë ku turmat qytetare po i mbushin lagjet dhe sheshet me krye të ngritur. Ndërkohë, atij assesi t’i mbërrijë lajmi se të gjithë po e shohin aktin e tij final. Se është i zhveshur cipridon, komplet i demaskuar në të bëmat dhe pabëmat e tij të gjithë po e shikojnë me sy të revoltuar. Atë dhe trillimet e tij.
Nuk u mjaftua me renomé famëkeqe prej maharaxhai të naftës së bollshme të cilësisë de luxe me rritje stelare paskaj. Atij i paska lindur edhe një hall. Ka filluar e po merret me psikanalizën, ‘veset’ dhe psikologjinë e qytetarëve. Së fundmi, gjasë ka konstatuar se rritja e çmimeve është në kokën e qytetarit. Pra, e vetmja konkurrencë brenda surrealizmit të tij, mbetet vet ai – madhështori me pelerinë. Edhe ndonjë ditë. Deri te skadenca.
E pse jo psikanalist, pse të mos provonte fatin?!
Kur ka mundur Romano Prodi italian, në dhjetëvjetëshat e shkuar të ulet pa ia da me kolegë nëpër seanca spiritistike, çka ka Edi Rama që të mos merret me studimin dhe psikanalizën e qytetarëve? Psh. atyre që janë detyruar ta paguajnë naftën, në disa raste edhe deri në 290 lekë. Trillim, sipas sinjor pelerinës. Vetëm sa nuk po thotë se qytetarët po vuajnë nga fatamorgana. Një ditë mund edhe ta thotë.
Krejt si Sahara. Shqipërinë në thelb e shndërroi në shkretëtirë. Me ujin dhe ushqimin në dukje gjithnjë e më larg horizontit. Ndërsa, nga e tërë skenografia përqark, garancë flladi oaze mbetet ajo pelerina e tij. Kimono e modifikuar japoneze duket të jetë në vlerë prej $4300, gjejnë qytetarët. Jo shumë, 1/10 e një cisterne mesatare transportuesi derivatesh të naftës.
Edhe Marie Antoinette e Luigjit XVI do të mbeste habitur… për herë të dytë. Se ky i gjati gjenial – korrier oligarkësh – dhe të zombizuarit e gijotinës nga shekujt e shkuar, i zgjon dërxhallë.
Pra, psikologjia e qytetarit lidhur me shpenzimet e papërballueshëm shkaku i rritjes abismale të çmimeve, sipas Edi Ramës, duket se është vetëm në kokën e qytetarit.
Drama është e tyre, jo e tij. I tij është konstatimi, i qytetarit turpi. Se qytetarit i mbetet vetëm stacioni i fundit: falimentimi. S’ka ku shkon më tej.
Ky marionet qeveritar, mondan i kimonizuar i oligarkive dhe të gjitha plejadave me ngjyra të spektrit ksilofonik, insiston se shoqëria qenka obsesionuar me rritjet maratonike të shpenzimeve shkaku i çmimeve tashmë në galop dhe sprint, të pakapshme.
Ani se fundin me skaj nuk po e mbërthejnë më dot. Laku rreth grykës nuk po zgjidhet.
Sipas gjatokut elitar, sot qytetari me 140 euro grosh të ardhura mujore nuk mund të shquhet si i varfër. Jo.
Por, ama, ai ka mendjen te veshja e tij Haute Couture dhe kreacionet e modës së lartë.
Me kimonon tashmë leitmotif talljesh e përqeshjesh në ditirambe korale kryeqyteti, por vërtet nuk ka më asgjë për të qeshur. Nuk ka mbetur më asgjë komike në tërë këtë situatë, se asnjëherë nuk qe e tillë.
Prandaj vendosim se:
Për dallim prej pamëshirës së tij, ne prap se prap kemi një lajm të mirë për pelegrinusin tonë, surealistin mondan.
Ka një model edhe më joshës se pelerina e tij. Sodisni imazhin ngjitur me tekst.
Kreacioni që shihni në imazh, ne ia propozojmë ngrohtësisht psikanalistit Rama. Mund të përkojë me koleksione të trendeve të fundit -krejt Chique – dhe punuar apostafat për ‘elitat siç është soji tij’. Shikoni imazhin. Shikoni, shikoni, lirisht.
Kemi këtu propozim prototipin potencial për kreatorin japonez (YY) i cili duket të jetë autor i pelerinës së maharaxhait të fiskaliteteve gjigandotrope, i cili me shkelma të fundit po provon ta gjunjëzojë tërë Shqipërinë. Se një egorama si ai, pos nesh, rrallë kush tjetër e gjen. Specie e rrallë.
Këtë vit i cili ka qenë dashtë të jetë i rimëkëmbjes së ndritur, as më të voglin vullnet nuk dëshmoi Rama për ta luftuar terrin e skëterrën sociale të cilën nuk e ndali dot. As si synim.
Saqë 70 vjeçaret e shoqërisë sonë u detyruan të ngrijnë acarin në mungesë kujdesi publik, shtetëror e institucional deri te fryma e fundit të cilën ia falën e dhuruan e urisë (e kujtoni motrën shqiptare Liliana Sema/Fier) lënë udhësh e në harresë.
Sepse midis dimri me fadronë u rrëzuan çatitë. Udhëve duke braktisur të pambrojturit e shoqërisë. Si një tjetër 70 vjeçe – motrën e njohur shqiptare – Liza Marku (atje te Lagjja “5 Maji” Tiranë) e regjistri nuk ndalet me kaq, nuk përfundon. Këtu nis fundi oligarkive.
Por, si popull i butë megjithate me mëshirë, maharaxhait të famshëm morbid tatimor e çmimor, kemi vendosur t’i bëjmë një dhuratë, për kontrast pelerinës së tij kimoneze.
Nga koleksioni Pranverë-Verë 2022:
Kreacionin e dizajnuar supermodern ia kemi qëndisur dollamë rrypëzash e lidhëzash, me temiz e me titiz merakllëk. Prej nesh e ka. Prej shpije!
Jo me zbritje: 25% – 75% as 95% të çmimit, por FALAS 100%!
Ja kështu disi duket kreacioni që do ta zëvendësonte kimono-pelerinën e psikologut tonë surealist – rast mondan më unik se i rrallë:
Rruga Press