Bota

Si mund ta dëbohet Rusia nga Këshilli i Sigurimit

Nga Thomas D.Grant “Bloomberg

Anëtarët e Kongresit Amerikan pyesin me të drejtë se si vendet që vlerësojnë sigurinë dhe lirinë e kombeve, mund ta përjashtojnë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në fakt kjo nuk është e pamundur, siç kanë argumentuar disa ekspertë, dhe as e paprecedentë.

Në vitin 1990, kur lideri irakian Saddam Husein pushtoi Kuvajtin dhe u përpoq ta zhdukte këtë vend nga harta, Këshilli i Sigurimit ndërmori veprime të menjëhershme. Ai i kërkoi Irakut të tërhiqej menjëherë dhe kur Bagdadi refuzoi, autorizoi përdorimin e forcës për ta dëbuar agresorin.

Ndërkohë sa për krahasim, Këshilli i Sigurimit sot nuk ka ushtruar aq shumë presion ndaj Vladimir Putinit, pushtimi i të cilit në Ukrainë përbën një kërcënim shumë më të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sigurisht kjo ka ndodhur sepse vetoja e Rusisë në Këshill bllokon çdo lloj veprimi kuptimplotë ndaj Putinit.

E megjithatë situata aktuale është ekzistenciale dhe jo vegim për Ukrainën, por edhe për OKB-në: ajo do të humbasë çfarëdolloj besueshmërie që ka si institucion për ruajtjen e paqes dhe rendit në botë, në rast se nuk do të mundet të reagojë si duhet ndaj mizorive dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Kur Fuqitë Aleate në Luftën e Dytë Botërore hartuan Kartën e OKB-së, ata ranë dakord që 5 vendet kryesore të mbanin vende të përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe secili prej tyre do të ruante të drejten e vetos mbi rezolutat e propozuara të Këshillit për çështje thelbësore. Rusia mban një vend të përhershëm në këtë këshill që prej vitit 1945. Ndaj përjashtimi i saj nuk do të ishte diçka e lehtë. Por OKB-ja mund ta bëjë këtë nëse tregon një vendosmëri të mjaftueshme. Aktualisht ekziston një precedent për shfuqizimin e kredencialeve të një vendi, ose të paktën për transferimin e tyre tek një qeveri tjetër.

Si një nga anëtaret themeltare të OKB-së në vitin 1945, Kina u përfaqësua në këtë organ nga qeveria nacionaliste. Por nga viti 1949 e tutje, kjo e fundit sundonte vetëm Tajvanin, pasi Republika Popullore Komuniste e kishte pushtuar të gjithë Kinën kontinentale.

Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tjerë të Republikës Popullore argumentuan se ishte një anomali që qeveria e Tajvanit të mbetej pjesë e OKB-së. Ndaj më 25 tetor 1971, Asambleja e Përgjithshme e OKB – ku asnjë vend nuk ka të drejtën e vetos – ia dha Republikës Popullore të Kinës vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Që nga ajo kohë qeveria e Tajvanit nuk ka pasur asnjë vend në OKB. Nëse siç argumentuan dikur sovjetikët, prania e qeverisë së Tajvanit në OKB ishte një anomali, sigurisht që edhe prania e Rusisë në Këshillin e Sigurimit është sot një anomali. Anëtarësimi në OKB kërkon që vendi anëtar të jetë një “shtet paqedashës”.

Lexo më shumë  Zelensky akuzon kryeministrin sllovak se ka zgjedhur Rusinë në vend të Perëndimit për furnizimet me gaz

Këshilli i Sigurimit supozohet të jetë përgjegjës për ruajtjen e paqes ndërkombëtare. Prania e Rusisë në këtë këshill nuk është vetëm moralisht e neveritshme, por vetoja e pengon këshillin të veprojë ndaj agresionit të Rusisë, duke e bërë atë një institucion të padobishëm.

Për të korrigjuar këtë anomali, Asambleja e Përgjithshme duhet të votojë që t’i heqë Rusisë kredencialet e saj për të qenë pjesë e këtij këshilli. Ky do të ishte një hap shumë më modest sesa ai i vitit 1971, kur Tajvani u përjashtua plotësisht nga OKB-ja. Por në dallim nga Kina, Rusia ka vetëm një qeveri.

Gjithsesi, ekziston një qeveri tjetër së cilës Asambleja e Përgjithshme mund t’i transferojë kredencialet e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, asaj të Ukrainës. Dikur, Bashkimi Sovjetik fitoi jo një, por tre vende në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Diktatori sovjetik Josif Stalin, që nuk përmendi miliona qytetarë që vrau atje, tha se se Ukraina dhe Bjellorusia, atëherë që të dyja republikat sovjetike, kishin pësuar humbje të tmerrshme në luftën kundër nazizmit.

Dhe aleatët perëndimorë pranuan që këto dy republika të kishin secila nga një vend të veçantë në OKB. Për pasojë, edhe pse Ukraina dhe Bjellorusia e fituan pavarësinë vetëm në vitin 1991, ato janë që të dyja “anëtare themeltare” të OKB-së.

Kur u shemb Bashkimi Sovjetik ish-republikat ranë dakord që Rusia do të trashëgonte të drejtat ndërkombëtare të Bashkimit Sovjetik, si dhe asetet kryesore strategjike të BRSS, duke përfshirë arsenalin bërthamor, objektet e lëshimit në hapësirë ​​dhe të drejtat e bazave ushtarake dhe detare në pjesën më të madhe të ish-Bashkimit Sovjetik, së bashku me vendin e BRSS në Këshillin e Sigurimit.

Rusia fitoi shumë avantazhe nga ky transferim i dakorduar i të drejtave dhe aseteve. Republikave, duke përfshirë Ukrainën, iu premtua se Rusia do të respektonte sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Tani ajo e ka shkelur me të dyja këmbët këtë premtim.

Do të ishte e drejtë dhe e ligjshme që Asambleja e Përgjithshme të deklaronte se caktimi i vendit në Këshillin Sigurimit është tashmë i pavlefshëm. Madje Asambleja mund të deklarojë se transferimi i vendit të Këshillit të Sigurimit është një lloj akti i besimit, në pritje të një date të ardhshme kur Rusia të angazhohet sërish me fjalë dhe vepra ndaj parimeve të Kartës së OKB-së.

Lexo më shumë  Presidenti i Këshillit Evropian: Sovraniteti i Danimarkës është çështje thelbësore për BE-në

Kjo do të thotë tërheqje e plotë nga i gjithë territori ukrainas dhe transferim i shumave të konsiderueshme për të financuar rindërtimin e Ukrainës, ku pushtimi i paligjshëm i Rusisë ka shkaktuar shkatërrim dhe vuajtje njerëzore të patregueshme.

Sigurisht tani për tani është e vështirë të imagjinohet koha se kur Ukraina do të ndjejë se janë përmbushur këto kushte dhe kur do të duhet të nisë një proces që Rusia të rifitojë vendin e saj. Një mundësi do të ishte një komitet i posaçëm në të cilin Asambleja e Përgjithshme mund të krijojë enkas një rezolutë për transferimin e këtij vendi.

Asambleja e Përgjithshme ka treguar një vendosmëri të habitshme kundër Rusisë. Më 2 mars, ajo votoi me 141 vota pro dhe 5 kundër për të “ dënuar…me termat më të fortë” agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Kjo është shumë më shumë se 2/3 e shumicës së nevojshme për vendimet e përjashtimit.

Në të kundërt, Asambleja votoi me shumicë të thjeshtë kur ia transferoi Pekinit kredencialet e Tajpeit. Ndaj ia vlen të veprojmë përmes Asamblesë së Përgjithshme për të anuluar kredencialet e Rusisë në Këshillin e Sigurimit.

Nëse dështon një votim i tillë, atëherë vendet liridashëse duhet të paraqesin një projekt-rezolutë sipas nenit 6 të Kartës së OKB-së për ta përjashtuar plotësisht Rusinë nga OKB. Ky do të ishte shansi i fundit i OKB-së për të justifikuar ekzistencën e saj dhe për të mbetur e rëndësishme edhe në epokën aktuale.

Një mocion për dëbimin e një anëtari, në dallim nga heqja e kredencialeve, i nënshtrohet vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Pra, Rusia pa dyshim që do të vërë veton, dhe Kina gjithashtu. Por atëherë Moska do të hyjë në histori si i vetmi vend në botë, kundër të cilit u bë një mocion për dëbim si nga OKB-ja, po ashtu edhe nga paraardhësja fatkeqe e OKB-së, Lidhja e Kombeve.

Megjithatë, kur Rusia e pushtoi Finlandën në vitin 1939, Lidhja pati guximin ta dëbonte Rusinë. Nëse nuk arrin as të krahasohet me Lidhjen e Kombeve përballë agresionit rus, atëherë OKB-ja do t’i tregojë vetes se është një eksperiment i dështuar, që nuk duhet të vazhdojë ta mbështesë asnjë komb liridashës. /abcnews.al/

Shënim:Thomas D.Grant, ka qenë këshilltar i planifikimit strategjik në Byronë e Sigurisë Ndërkombëtare dhe Mospërhapjes së Armëve në Departamentin e Shtetit të SHBA. Ai është autor i librit “Agresioni kundër Ukrainës:Territori, përgjegjësia dhe ligji ndërkombëtar”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *