BE do të rrisë mbështetjen financiare të furnizimeve ushtarake për në Ukrainë
Bashkimi Evropian do të rrisë ndihmën financiare dhe dërgimin e armëve për Ukrainën, tha të hënën ministrja gjermane e financave Annalena Baerbock përpara një Këshilli të posaçëm të Punëve të Jashtme në Bruksel.
“Ne do të rrisim mjetet financiare për blerjen e mallrave ushtarake në 1 miliard euro, për të bërë edhe më të qartë, ne qëndrojmë në solidaritet të plotë në anën e Ukrainës, ne qëndrojmë për mbrojtjen e popullsisë civile në Ukrainë,” u tha Baerbock gazetarëve.
Gjermania do të sigurojë gjithashtu që shitja e armëve nga prodhuesit gjermanë të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur. “Ukraina ka nevojë për armë të tjera,” tha ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
“Kjo ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, ne jemi në mes të një lufte dhe për këtë arsye nevojitet kujdes absolut për të deklaruar se cilat armë do të dorëzohen dhe ku,” shtoi Baerbock.
“Ne mendojmë që qeveria ruse do vazhdojë të përshkallëzojë retorikën e saj në lidhje me armët bërthamore si dhe territorin ndaj NATO-s,” tha ajo.
Baerbock gjithashtu vuri në dukje se aleanca duhet të parandalojë përhapjen e luftës në vendet e tjera. “Ne kemi një përgjegjësi ndaj ukrainasve, por kemi gjithashtu një përgjegjësi ndaj 450 milionë evropianëve dhe atyre që janë anëtarë të NATO-s,” shtoi ajo.
“Ne jemi duke punuar që mos ketë zbrazëti te sanksionet e vendosura” tha ajo. “Ata që përfitojnë nga kjo luftë, duhet të sanksionohen, duke përfshirë anëtarët e familjes së tyre, tha Baerbock.
© Rruga Press