Ukrainë, hapet korridori humanitar për evakuim
Autoritetet njoftuan hapjen të shtunën e një korridori humanitar në rajonin Luhansk. Guvernatori rajonal Serhiy Gaiday tha se në dispozicion të njerëzve gjatë evakuimit do të ketë ushqim.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, raportoi të premten Qendra për Zhvillimin Global. Sipas një analize të qendrës “niveli me të cilin janë rritur çmimet do të fusin mbi 40 milionë njerëz në varfëri ekstreme”.
“Qeveritë dhe agjencitë ndërkombëtare duhet të veprojnë shpejt dhe bujarisht për të parashikuar dhe mbështetur nevojat humanitare, por ato duhet të përdorin gjithashtu krizën si një mundësi për të reformuar politikat bujqësore të BE-së dhe SHBA-ve që po minojnë sigurinë ushqimore”, tha qendra.
Të premten, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, njoftoi se ka dorëzuar sasinë e parë të ndihmës urgjente humanitare në qytetin e shkatërruar verilindor të Ukrainës, Sumy.
Ndërkohë zyrtarët ukrainas thonë se nuk kanë gjetur ende ndonjë viktimë në rrënojat e një teatri në Mariupol që u shkatërrua pas një sulmi ajror të forcave ruse.
Zyrtarët ukrainas njoftuan se që nga e premtja, janë nxjerrë nga bodrumi i teatrit 130 njerëz, ndërkohë kërkimet vazhdojnë për qindra të tjerë që të mund të vazhdojnë të jenë të bllokuar.
Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se sipas informacioneve fillestare nuk ka të vdekur dhe se vetëm një person rezulton i plagosur rëndë.
Teatri u bombardua pavarësisht shenjave që tregonin se në të strehoheshin civilë, përfshirë dhe fëmijë. Moska mohon ta ketë goditur teatrin./VOA
Rruga Press