Kozmonautët rusë mbërrijnë në ISS të veshur me ngjyrat e Ukrainës
Kozmonautët rusë kanë mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) të veshur me ngjyrat e Ukrainës, që duket se është një qëndrim kundër pushtimit.
Tre burrat janë të parët që mbërrijnë që prej kohës kur Rusia sulmoi fqinjin e saj në lindje muajin e kaluar.
Ata u mirëpritën në bord, duke u përqafuar dhe përshëndetur me kolegët e tyre amerikanë, rusë dhe gjermanë.
ISS është një projekt i përbashkët mes Rusisë, SHBA-së, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve Evropiane.
Drejtimi i misionit është në duart e SHBA-së dhe Rusisë, bashkëpunim që vazhdon prej dy dekadash pavarësisht tensioneve mes dy superfuqive të botës.
Kozmonautët, Denis Matveyev, Oleg Artemyev dhe Sergey Korsakov zbritën në ISS pas 3 orë fluturim nisur nga Kazakistani.
Momenti kur kozmonautët shfaqen të veshur me uniformë të verdhë dhe me nuanca blu u transmetua nga agjencia amerikane e hapësirës, NASA dhe agjencia ruse, Roscosmos.
Që prej pushtimit të Ukrainës, njerëz të ndryshëm rreth botës kanë përdorur ngjyrat e flamurit të saj në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje.
Tre rusët do të nisin një mision shkencor në ISS që pritet të zgjasë 6 muaj. Ata do të zëvendësojnë ekuipazhin aktual që do të kthehet në Tokë më 30 mars.
Rruga Press