Bosnja lë në fuqi dënimin e ushtarit serb për vrasjen e dy boshnjakëve
Gjykata boshnjake hodhi poshtë apelin e ish-ushtarit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Bozidar Perisiç, kundër dënimit të tij me dhjetë vjet burg për vrasjen e dy burrave boshnjakë në një fshat afër Rogaticës gjatë luftës në 1992.
Dhoma e apelit e gjykatës shtetërore të Bosnjës la në fuqi të enjten vendimin e shkallës së parë që dënon ish-ushtarin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Bozidar Perisiç, alias Boban, me dhjetë vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Gjithashtu u konfirmua lirimi i të bashkë-pandehurit me të, ish-ushtarakut Vinko Zoranoviç, alias Joja.
Sipas vendimit të shkallës së parë, Perisiç u dënua për vrasjen e dy boshnjakëve, Salem dhe Mustafa Sijerciç, me një armë automatike më 19 qershor 1992, në fshatin Gracanica, afër Rogaticës.
Trupat e tyre u dogjën më pas nga ushtarë të panjohur të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe eshtrat nuk janë gjetur.
Megjithatë, për shkak të mungesës së provave, Perisiç u lirua nga akuza për vrasjen e dy burrave të tjerë boshnjakë më 19 qershor 1992 në fshatin Gracanica dhe për shkaktimin e lëndimeve fizike dhe psikologjike ndaj një burri tjetër dhe djalit të tij më 21 nëntor 1993 në fshatin Satorovici.
Zoranoviç, i cili ishte polic në Rogatica, u lirua nga akuza për përdhunimin e dy grave në Rogatica natën e 20-21 qershor 1992.
Ky ishte një vendim i formës së prerë dhe nuk mund të apelohet./birn/
Rruga Press