Shqetësim për prindërit shkolla e pa rindërtuar Musine Kokalari
Rreth 600 nxënës të shkollës 9-vjeçare Musine Kokalari zhvillojnë mësim me turne deri në 8 të mbrëmjes, në shkollën Betim Muco.
Shkolla ‘Musine Kokalari’ ende nuk ka nisur të rindërtohet pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-tës.
Një nënë që ka dy fëmijët në shkollë është e detyruar të lërë punën për të marrë fëmijët nga shkolla.
“Vajza është klasë e 6, mbaron në 7, djali në 6. Kemi prerë punë e të gjitha, rrimë pas tyre”, u shpreh ajo.
Edhe prindër të tjerë janë ankuar për situatën.
“Unë e kam në klasë të parë ku ta lë në 7 të darkës? Pse nuk po riparohet shkolla?”, tha një prind.
“Ne jemi dhe në punë nuk arrijmë dot ti marrim”, u shpreh një tjetër.
“I kemi vajza, i marrim në darkë çdo ditë, ndaj është problem. Se kur janë në mëngjes shkojnë vetë”, tha një prind.
Prindërit kërkojnë nisjen e rindërtimit të shkollës, sa më parë.
Musine Kokalari do të rindërtohet nga UNDP Albania me fondet e BE, njëra pjesë do të shembet për t’u ndërtuar nga e para dhe pjesa tjetër do rikonstruktohet.
Euronews Albania u interesua pranë UNDP, sipas të cilëve javën që vjen pritet të hapet tenderi për rindërtimin e kësaj shkolle. Ende nuk ka një datë se kur do nisin punimet.
Në Shqipëri 63 shkolla do të rindërtohen nga fondet e BE, 40 prej të cilave janë ende pa u ndërtuar.
Sipas Ministrisë së arsimit janë 170 ndërtesa të arsimit në total që do rindërtohen pas tërmetit, sot më shumë se dy vitesh 68 prej tyre kanë përfunduar.
Rruga Press