Gazetarja ruse që u dënua për protestë në TV: Rusët janë kundër luftës
Gazetarja ruse Marina Ovsyannikova ditë më parë bëri bujë kur ajo gjatë transmetimit të lajmeve në kanalin televiziv rus Channel One, doli prapa transmetueses së lajmeve duke protestuar me një pano në dorë kundër luftës në Ukrainë.
Marina u arrestua, ndërsa gjykata ruse e dënoi atë me 30 mijë rubla ruse (afro 260 euro).
Duke folur për BBC-në, gazetarja ruse tha se donte të tregonte se rusët janë kundër luftës dhe se ishte në dijeni se do të arrestohej.
“Vërtetë doja t’i tregoja audiencës perëndimore se rusët janë kundër luftës. Jo të gjithë rusët janë të tillë”, ka thënë Marina Ovsyannikova.
Ovsyannikova shpreson që protesta e sa të inkurajojë qytetarët rusë të vënë në pyetje raportimet e mediumeve lokale.
“Për të gjithë rusët, doja të tregoja se jemi zombifikuar nga kjo propagandë e Kremlinit, mos i besoni. Ndaloni së dëgjuari kanalet e Kremlinit. Mësoni të kërkoni më tepër informacion, të analizoni atë. Burimet perëndimore, burimet ukrainase, e di se është shumë e vështirë në këto kushte të luftës së informatave të gjesh informata alterantive, por duhet të provosh të shikosh”, ka thënë Ovsyannikova.
Rruga Press