VV: Prishtina nuk po përparon me Përparimin
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur konferencë për media në 100 ditëshin e punës së kryetarit, Përparim Rama.
Asamblistja e VV-së, Triera Kasumi ka thënë se janë bërë 100 ditë prej betimit të kryetarit.
Ajo ka thënë se në fakt janë bërë 100 dite prej kur është dashur të fillojnë punën.
“Pas një vështrimi serioz, jemi munduar të gjejmë disa konkrete, por e tëra qe kemi gjetur janë: udhëtimi në Londër, pushim në hotelin ‘Dukagjini’, ndalja e subvencioneve për Covid-19, vizita në Tiranë, shtrenjtim i taksive etj. Kemi mostransparencë në Prishtina Parking. Kemi bërllok gjithandej. Trafiku Urban me shume probleme që vetëm kryetari më duket se nuk është i njoftuar”, ka thënë ajo.
Ndërkaq asamblisti Gëzim Sveçla ka thënë se pritishmëritë kanë qenë minimale, e sipas tij, tash pas 100 ditëshit nuk ekzistojnë fare.
“Siç mund ta shihni gati çdo lagje e qytetit ka aksione e protesta e që lidhen kryekput me mos punën e kryetarit. Ne do të përkrahim çdo projekt që është në të mirë që qytetarëve dhe nuk do jemi bllokues, por është zhgënjyes se nuk po bëhet asgjë. Subjekti i tij është në koalicion me PDK-në dhe Ismailin. Ai ka bërë qindra premtime dhe rezultati është i njëjtë edhe për partinë e tij. Qytetarët e kanë provuar edhe më herët koalicionin LDK-PDK dhe është dëshmuar se është vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe jo koalicion për qytetarët”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kur u bën 100 ditë dhe asgjë nuk po funksionon, qytetarët nuk kanë parë asnjë projekt.
Sveçla ka shtuar se Prishtina nuk përparon me Përparimin.
Rruga Press