Lajme

Ambasadori i Kosovës në Gjermani demaskon trillimet serbe për luftën

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është deklaruar rreth propagandës së Serbisë se janë rrëmbyer mbi 1,300 serbë në Kosovë ndërmjet viteve 1998-2000, se Kosova dhe Shqipëria kanë për qëllim krijimin e “Shqipërisë së Madhe” e edhe se UÇK-ja ishte organizatë që merrej me trafikim të organeve.

Në një intervistë për revistën gjermane “Die Tagespost”, Ajeti i është kundërpërgjigjur kësaj propagande, duke treguar se ka fakte për përgjigjet e secilës nga akuzat.

“Ka edhe serbë që ende rezultojnë të zhdukur, por numri i të tyre është më i ulët se i shqiptarëve të Kosovës. Në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku ka edhe shumë trupa të tjerë; pastaj, ku trupat e shqiptarëve të Kosovës janë hedhur në Danub nga ushtria serbe ose janë djegur në (Kombinatin Industrial) të Trepçës për të fshehur provat”, ka thënë ai derisa ka treguar me shifra për të zhdukurit, të vrarët e të dhunuarit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkaq, sa i përket trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ajeti ka treguar se kjo është pjeë e propagandës serbe dhe ruse kundër Kosovës, pasi qëllimi i UÇK-së ishte vetëm çlirimi i vendit nga regjimi serb.

“Kjo është pjesë e propagandës serbe dhe ruse kundër Kosovës. UÇK-ja nuk kishte asnjë lidhje me trafikimin e organeve, por ajo u themelua si reagim ndaj brutalitetit sistematik serb kundrejt shqiptarëve të Kosovës. Qëllimi i UÇK-së ishte çlirimi i vendit nga regjimi i Serbisë. Një gjykatë speciale është ngritur tashmë në Hagë për të hetuar akuza të tilla. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë dëshmi e vetme se një luftëtar i UÇK-së është përfshirë në trafikimin e organeve, këtë e ka thënë edhe ish-prokurori i Gjykatës Speciale, amerikani Clint Williamson”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Ministrja Nagavci përuron çerdhen e re publike në Prizren

Sa i përket trazirave të vitit 2004, Ajeti tha se disa kisha janë sulmuar gjatë asaj kohe, por se këto sulme nuk janë përkrahur nga shumica shqiptare në Kosovë.

“Është e vërtetë se disa kisha ortodokse serbe u sulmuan në atë kohë, por këto sulme nuk janë përkrahur nga shumica shqiptare në Kosovë dhe ato sulme nuk pasqyrojnë sjelljen e shumicës. Qeveria e Kosovës ka marrë të gjitha masat për rinovimin e të gjitha kishave të shkatërruara. Në vitin 2004 ishin shqiptarët e Kosovës, madje edhe ish-luftëtarët e UÇK-së që mbrojtën objektet fetare, sikurse me Manastirin e Deçanit nga turma e zemëruar. Djegia e institucioneve fetare nuk ka qenë kurrë pjesë e traditës dhe kulturës shqiptare”, është shprehur ai.

Ajeti është pyetur edhe për Manastirin e Deçanit nëse ka 600 hektarë tokë dhe nëse ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por qeveria Kurti refuzon ta zbatojë atë.

Lexo më shumë  Kurti: Kur shpallëm organizata terroriste 'Mbrojtjen Civile' dhe 'Brigadën e Veriut', ndërkombëtarët na kritikuan, më pak se tre muaj më vonë na ndodhi Banjska

Ambasadori ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk i mohon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka treguar se fjala është për 24 hektarë tokë, ku është paraparë ndërtimi i një rruge që lidh qytetin e Deçanit (në Kosovë) dhe qytetin e Plavës (në Mal të Zi).

“Ajo që e bënë shoqërinë civile të reagojë ndaj veprimit të Gjykatës Kushtetuese është se në vitin 1997 me vendim nga qeveria e atëhershme e Sllobodan Millosheviqit i janë dhënë prona, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të manastirit”, ka shtuar ai.

Kurse sa i përket krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, Ajeti ka sqaruar se nuk ka asnjë plan për të, sipas tij, prej çka duhej frikësuar është “bota serbe” e proklamuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka plan për krijimin e një shteti monoetnik të shqiptarëve apo “Shqipërisë së Madhe”. Kjo është pjesë e propagandës serbe. Në shekullin e 19-të ekzistonte ideja për krijimin e shtetit shqiptar nga viset e banuara me shqiptarë. Kur u shpall Republika e Shqipërisë në vitin 1912, dy të tretat e territoreve shqiptare mbetën jashtë saj, nën Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SHS). Në anën tjetër, askush nuk duhet frikësuar nga një republikë multietnike dhe e pavarur e Kosovës, por nga “bota serbe” e proklamuar tashmë nga presidenti serb Vuçiq”, ka përfunduar ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *