Lajme

Kurti e Lajçaku diskutojnë për ndërmarrjen e hapave konkretë në dialog

Ndërmarrja e hapave konkretë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar në takimin mes emisarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit të tyre në Turqi.

Që të dy kanë marrë pjesë në Forumin për Diplomaci në Antali, derisa pas takimit me Kurtin, Lajcaku e ka ndarë qëndrimin e tij.

“Sot në mëngjes në Antali pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për hapat konkretë të ardhshëm për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët në rrethanat aktuale”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Të shtunën në panelin e diskutimit “Përfaqësimi i Ndryshimit”, Kurti së bashku me liderë të tjerë kanë diskutuar për rininë ashtu si edhe drejtësinë e punësimin.

“Sot në Forumin për Diplomaci në Antali, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në panelin e liderëve me temë ‘Përfaqësimi i Ndryshimit’. Bashkë me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embaló, dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, biseduan mbi rininë, drejtësinë dhe punësimin. Ndryshimi politik ka nevojë për një lëvizje: një kauzë, një organizatë dhe një përpjekje”, tha kryeministri Kurti

Lexo më shumë  Rama si vasal/ Vuçiqi e pranon: 'Ballkani i Hapur' ishte ideja ime, na e ndërprenë fuqitë e mëdha europiane

Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Kurti është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e Letonisë, e me të cilin tha se kanë diskutuar “për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për gjithë Evropën”.

“Diskutuam për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për të gjithë Evropën me zëvendës kryeministrin e Letonisë. E falënderova për kontributin e Letonisë në KFOR dhe mbështetjen për agjendën tonë të integrimit në BE”, ka thënë Kurti.

Krahas Kurtit, në Forumin e Demokracisë në Antalia është duke marrë pjesë edhe presidentja Osmani.

Lexo më shumë  Reporterët Pa Kufij: “Mediat private më me ndikim në Shqipëri në pronësi të një numri të vogël kompanish që kanë lidhje me botën politike, veçanërisht në sektorë si ndërtimi"

Të shtunën ajo është takuar me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.

“Përsërita se Kosova qëndron pranë aleatëve në këtë kohë sfiduese dhe e gatshëm për të mbështetur qytetarët ukrainas në përpjekjet humanitare globale”, ka njoftuar Osmani.

E për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi, Osmani tha se ka diskutuar me mandatarin për kryeministër, Dritan Abazoviq.

“Diskutuam për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunimin Kosovë-Mal të Zi në dobi të popullit tonë”, ka thënë ajo.

Forumi për Demokraci ka nisur të premten e do të përmbyllet të dielën./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *