Eurodeputetë letër Komisionit Evropian: Ngrini negociatat me Serbinë
Nëntë deputetë të Parlamentit Evropian nga grupi liberal “Renew Europe” i kanë dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për t’i ngrirë përkohësisht negociatat me Serbinë dhe ta ndalin ndihmën financiare deri sa të harmonizojë qëndrimin me BE-në karshi Rusisë.
Letra, të cilën e ka parë “European Western Balkans”, ishte nënshkruar, ndër të tjerët, edhe nga Nicola Beer, zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Partisë së Lirë Demokratike në Gjermani. Nënshkruesit tjerë ishin Klemen Groselj nga Sllovenia, Ilhan Kyuchyuk nga Bullgaria, Petras Austrevicius nga Lituania, Urmas Paet nga Estonia dhe Bart Groothuis nga Holanda.
“Ne fuqishëm besojmë që Serbia po tregon zhvendosje të rrezikshme drejt autoritarizmit, që është në kontrast të madh me aspiratën e saj paralele për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe kjo paqartësi kulmoi me refuzimin për t’i vënë sanksione Rusisë si kundërpërgjigje për agresionin ndaj Ukrainës. Prandaj ne i bëjmë thirrje Komisionit që edhe një herë të ftojë autoritetet e Serbisë t’i bashkohen qëndrimit të përbashkët të BE-së ndaj Rusisë. Nëse Serbia edhe njëherë vendos ta injorojë këtë thirrje, ne kërkojmë ngrirje të përkohshme të negociatave për pranim në BE me Qeverinë e Serbisë dhe t’i mohohet përkrahja financiare deri të ndërmarrë veprime të besueshme, të qarta e të prekshme për t’i harmonizuar deklaratat, politikat dhe vlerat me Bashkimin Evropian”, thuhet në letër.
Këta eurodeputetë kanë thënë se Serbia ka të drejtë ta zgjedhë drejtimin e saj, por kanë theksuar se “Serbia duhet të jetë e qartë në qëllimet e veta dhe të ndalet së pretenduari se ka aspirata serioze për pranim në BE”.
Letra ka vazhduar me ankesat për furnizim me armatim të Serbisë nga regjimi i Putinit dhe me ngecjet e Serbisë në sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut.
Serbia, bashkë me Bjellorusinë, janë të vetmet vende në Evropë që s’kanë vënë sanksione ekonomike ndaj Rusisë.
Rruga Press