Lajme

INSTAT: Ulet papunësia më 2021, 10 mijë më pak se para pandemisë

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e katërt 2021, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,1%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,1%, krahasuar me tremujorin e tretë 2021.

Treguesit e punësimit u përmirësuan në tremujorin e fundit të vitit 2021, në krahasim me vitin 2020, por ende nuk po arrihen nivelet e para pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e katërt 2021, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,1%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,1%, krahasuar me tremujorin e tretë 2021.

Të dhënat tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2021 kishte rreth 33 mijë të punësuar më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, por ende numërohen 10 mijë më pak të punësuar se në të njëjtën periudhë e vitit 2019. Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,4%. Niveli i papunësisë u ul me 1,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ndërsa është rritur me 1,0%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, si rrjedhojë e përfundimit të sezonit turistik.

Rritet pjesëmarrja në tregun e punës

Në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, ishte 70,4%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 77,7%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 14,5 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur me 0,5 pikë përqindje.

Lexo më shumë  Serbët në veri do të pagujnë edhe ujin, KRU “Mitrovica” nënshkruan marrëveshje për shërbim, inkasim dhe faturim me 3 komunat e veriut

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,9%. Ky tregues është rritur me 2,9 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,4 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë 2021.

Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,6%.

Punësimi u rritet në sektorët e industrisë dhe shërbimeve, por bie për bujqësinë

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62,1%. Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2020 në tremujorin e katërt 2021, është +2,7%. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,5% në sektorin e industrisë, me 7,2% në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 5,3% në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0,3%. Punësimi u ul me 1,0% në sektorin e industrisë, me 0,2% në sektorin e shërbimeve, dhe u rrit me 0,2% në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 68,8%, ndërsa për gratë është 55,4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,0 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 42,8%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2021, shkalla e punësimit është 71,7%.

Papunësia tipar i të rinjve, në moshën 30-64 vjeç treguesi është 8.9%

Në tremujorin e katërt 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,4%. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,4 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2020, ndërsa u rrit me 0,1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,0% dhe për gratë 11,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,7 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,3 pikë përqindje për gratë.

Lexo më shumë  Dalin e pamjet e çarjes së digës së hidrocentralit në Lukovë të Himarës

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e katërt 2021, është ulur me 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2021, ky tregues është rritur me 0,7 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,9%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,2 pikë përqindje. Popullsia ekonomikisht jo-aktive Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, 17,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,1% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2% në paaftësi të përhershme.

Gjatë tremujorit të katërt 2021, 11,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,1% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 9,0% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,7% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *