Jeta studentore që iu privua gjeneratës në pandemi
Gjallëria me gumëzhitjet e të rinjve që mbledhen brenda Qendrës Studentore në Prishtinë është zbehur shumë në vitin pandemik. Kjo qendër që personifikon jetën studentore për të rinjtë që vijnë për të studiuar në kryeqytet është kapluar nga një heshtje e zymtë ndërkohë që po rihapet gradualisht
Për Altiana Zogajn, studente e vitit të dytë në Universitetin e Prishtinës, Dega Gazetari, këtë vit dhoma e konviktit ku banon do të jetë me më shumë hapësirë. Asaj i duket e çuditshme fakti që nuk do të ketë pranë një shoqe dhome por pranon se kjo situatë e pazakontë përshtatet edhe me mënyrën se si pritet të zhvillohen studimet këtë vit.
“Përderisa kushtet janë te mira ne konvikt, është më lehte e menaxhueshme. Normalisht nëse ligjëratat do te ishin fizikisht, do e kisha ndjere mungesën e një shoqeje ne dhome, por, mendoj qe është mënyrën e menduar mire kjo e të qenit vetëm 1 person ne dhome, sepse na lehtëson mësimin online dhe nuk shpërqendrohemi në mësime!”, ka thënë Zogaj.
Këtë vit afati për regjistrim në konviktet e “Qendrës Studentore” në Prishtinë ishte shtyrë deri më 13 nëntor nga shtatori kur bëhet zakonisht. Vendimi për rihapjen e qendrës thoshte se nëpër dhoma do të vendoset vetëm nga një student e jo nga dy ose tre siç kishte qenë para pandemisë.
Edhe Blerina Cekës e cila studion Mjekësi i është dashur të adaptohet me faktin që do të banojë vetëm në dhomën e konviktit.
“Ne fillim ishte e çuditshme dhe ndryshe kuptohet sepse duhet të mësohesh te jetosh vetëm pa pranin e cimereve ndryshe nga viti i kaluar qe kisha 2 cimere në dhomë. Dhe qe kemi kaluar shumë mire e normalisht të mungon ajo pjese, mirëpo ka edhe anën e mire sepse ke privatesi më shumë.”, ka thënë ajo.
Ky vit akademik ka nisur në mënyrë të kombinuar, me ligjërata që mbahen online por me provime e punë praktike fizikisht.
Për të dy vajzat mësimi fizik është më i mirë, por thonë se mësimi në distancë është më i sigurt në këtë kohë pandemie.
“Duke i diskutuar anët pozitive, normalisht qe ndjej mungesën e takimeve fizike, mirëpo në këto kohe me e rëndësishme se dëshira ime dhe e studenteve të tjerë, është shëndeti ynë të cilin nuk duhet ta rrezikojmë në këtë periudhe, kështu që përderisa virusi gjendet akoma ne mesin tone, është me mire qe te gjithë të ndihmojmë ne mposhtjen e kësaj pandemie duke qëndruar edhe për një kohe ne distance me njeri tjetrin dhe duke respektuar masat nga IKSHPK-ja.”, ka thënë Altiana.
Por për studenten e mjekësisë, praktika është më se e rëndësishme.
“Mësimi në distancë në kohë pandemie sigurisht është i domosdoshëm dhe kjo është një përparësi sepse ruajmë shëndetin tonë, dhe mangësi mund te them se është pa mundësia e mbajtjes së praktikës si duhet sepse është tejet e nevojshme në drejtimin që unë studioj.”, ka thënë ajo.
Pasojat e mbylljes te studentët e rinj
Nisja e studimeve në Universitetin e Prishtinës për studentë që vijnë nga qytete të tjera, tradicionalisht ka shënuar fillimin e një periudhe të pavarësimit të të rinjve nga jetesa me familjen.
Për 18 vjeçarët kjo ka shënuar edhe krijmin e shoqërisë së re, të ndihmuar edhe nga atmosfera që krijon Qendra Studentore dhe jetesa që e karakterizon këtë periudhë të jetës për këta studentë.
Mungesa e kontaktit fizik dhe ambientit shoqëror për shkak të mbylljes gjatë pandemisë ka shkaktuar edhe pasoja psikologjike sipas ekspertëve.
Profesori i Sociologjisë, Shemsi Krasniqi, gjatë kësaj periudhe ka vërejtur një anë depresive tek studentët.
“Përgjithësisht kam vërejtur një depresion te studentët. Duket një lodhje, monotoni dhe nostalgji e studentëve për t’u parë me njëri tjetrin n Fakultet, në sallë, amfiteatër, në konvikt, në qytet. Jeta studentore është periudha më e mirë e jetës, e mësimi online e ka “mbytë” jetën studentore. Megjithatë nuk është gjithçka bardh e zi.”, ka thënë Krasniqi.
Kujtojmë se Qendra Studentore në muajt e parë të vitit 2020 menjëherë pasi studentët ishin larguar nga aty ishte shndërruar edhe në një qendër karantine.
Nga studentët pati pakënaqësi lidhur me humbjen dhe dëmtimin e gjësendeve që kishin lënë deri sa i ishte dashur të largohen më me urgjencë nga qendra për të mundësuar shndërrimin e saj në rolin e ri që do ta kishte në fazën e hershme të shpërndarjes së pandemisë në vend.
Megjithatë, zymtësia më e madhe që përcjell këtë qendër është fakti se studenti 26 vjeçar, Agon Musliu, vdiq tragjikisht deri sa po qëndronte në karantinë në njërin nga konviktet.
Ligjërimi në pandemi, sfidë edhe për stafin akademik
Vendimi për kalimin e ligjërata online për të gjitha universitetet në vend, kërkoi një përshtatje të menjëhershme si për studentët ashtu edhe për profesorët.
Edhe pse tani jemi në fazën e dytë të mësimit në distancë, mësimi në prezencë fizike mbetët më i përshtatshëm për studentët dhe profesorët.
“Ligjëratat fizike janë te pazëvendësueshme dhe as platforma me e mirë nuk mund t’i zëvendësojë, ndoshta është edhe veçanti e lëndës të cilën e ligjëroj (Matematikë). Vështirësitë ishin tek parapërgatitja e ligjëratës, në kuptim e kohës. Për të përgatitur një ligjëratë më merrte kohë 3-4 orë, sepse tani nuk e kishim tabelën ku i zgjidhnim detyrat dhe tërë materialin duhej ta integroja në platformën e caktuar nga Universiteti..” ka thënë Feride Qorrolli, Ligjëruese e lëndëve Matematikore, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Përvoja nga semestri kaluar për metodat e mësimit online i’a ka lehtësuar punën profesorit Shemsi Krasniqi, i cili ligjëron në departamentin e Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës
“Për dallim prej semestrit të kaluar, ky ka qenë pak më i relaksuar, sepse përvoja e bën të vetën. Por edhe takimet e studentëve në ushtrime apo në grupe të vogla, e mbajnë në jetë atë frymën akademike dhe studentore, e cila është pjesë e dijes, studimit dhe përvojës jetësore.”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, sipas Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, vështërsitë janë vërejtur vetëm në regjistrimin e studentëve të rinj.
“Për këtë semestër kemi fillu mbarë, përveç viti të parë në Bachelor dhe Master që ka pas vonesa në regjistrim të studentëve të rinjë, ne vitet e tjera kemi fillu me kohë. Në këtë semestër për dallim me semestrin e kaluar kemi pas edhe mësimin të kombinuar”, tha ai.
Ministri Arsimit, Ramë Likaj në konferencën e fundviti ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë plan të veçantë se si do të zhvillohet mësimi tutje në Fakultete, pasi që kjo do të varet nga situata me pandeminë.
“Fakultetiti i Mjekësisë, Fakulteti Teknik edhe disa Fakultete që kanë praktikë janë duke i zhvilluar ushtrimet në Fakultet dhe provimet jemi duke i mbajtur në objekte, Nuk e di çfarë janë planet.”, ka thënë Likaj.
Viti akademik në Kosovë ka filluar më 1 tetor në mënyrë të kombinuar, me ligjëratat online dhe ushtrime në fakultet.
Me paraqitjen e rasteve të para, Qeveria e Kosovës më 12 mars kishte marr vendim që të mbyllte Institucionet Arsimore në vend dhe për të vazhduar me mësimin online. /Kallxo.com/