Ja cili shtet ka nivelin më të lartë të barazisë gjinore
36-vjeçarja Sanna Marin udhëheq koalicionin qeverisës të shtetit të Finlandës me pesë parti politike të përfshira. Të gjitha udhëhiqen nga gratë dhe të gjitha janë në të 30-at. Është shtet që udhëhiqet kryesisht nga gratë.
Ky është kulminacioni i shtytjes së shtetit për barazi gjinore që ka nisur që nga pavarësia e Finlandës më 1917. Më 1906, Finlanda, atë kohë pjesë e Rusisë, ishte vendi i parë që u dha grave të drejta të plota për të votuar dhe për t’u kandiduar. Një vit më vonë, 19 gra u futën në Kuvendin e Finlandës për herë të parë duke shkruar historinë në botë.
Sot, gjysma e pozitave të pushtetit udhëhiqen nga gratë.
Finlanda, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka arsye të fortë për të qenë krenare, shkruan CNN. Është vendi i dytë në botë në raportin e hendekut gjinor të Forumit Ekonomik Botëror, menjëherë pas Islandës. Në raportin e njëjtë, SHBA-ja është e 30-a e Japonia e 120-a nga 156 shtete.
Në një opinion të Naomi Moriyamas dhe William Doylet, është shkruar për jetesën në shtetin e udhëhequr nga gratë. Ata kanë treguar për përshtatjen e menjëhershme në “shoqërinë e barabartë dhe modeste” finlandeze.
Sipas shkrimit, shkollimi në Finlandë është më shumë përmes lojës, pushimeve e zbulimeve të ndryshme në një vend ku mësuesit janë të shumërespektuar. Gratë në udhëheqje politike dhe profesione të tjera në këtë vend pranohen si diçka shumë normale.
Tarja Halonen, që ishte presidentja e parë e shtetit të Finlandës, nga viti 2000 deri më 2012, kishte shpjeguar rrëfyer se si ishte rritur në Helsink në kohë të vështirë.
“Për 700 vjet ishim pjesë e mikut tonë perëndimor, Suedisë. Më pas Mbretëria e Suedisë nisi një luftë me Rusinë dhe e humbi. Më pas 100 vjet ishim pjesë e Rusisë – fatmirësisht si pjesë autonome. Tani pavarësia jonë ka zgjatur për më shumë se 100 vjet. Kemi pasur një luftë civile dhe dy luftëra e shumë vështirësi. Jemi mësuar të jemi të pavarur, kokëfortë e punëtorë. Ndoshta ka qenë më e lehtë për ne të pranojmë se na duhen si burrat edhe gratë që një shoqëri të funksionojë 100 për qind. Këtu në veri të botës ne kemi traditë të gjatë të grave të fuqishme në shoqëri. Gratë duhet të jenë të fuqishme që të mbijetojnë e që t’u ndihmojnë familjeve të tyre dhe shtetasve”, ka thënë Halonen.
Progresi gjinor në Finlandë u shty përpara nga organizatat e grave dhe ato të punës si dhe nga shumë gra e burra të shkolluar. Pioniere ishte Miina Sillanpaa, ish-shërbëtore që u zgjodh në parlament më 1907 dhe që shërbeu aty për 38 vjet. U bë anëtarja e parë e kabinetit më 1926 dhe udhëhoqi asociacionin e punëtorëve shtëpiakë për 50 vjet. Ajo ndihmoi në themelimin e një organizate për strehim të grave të vetme dhe fëmijët e tyre dhe luftoi për të përmirësuar jetën e të moshuarve dhe për të larguar disavantazhet.
Edhe te bizneset barazia gjinore shihet si pjesë tashmë e mishëruar e kulturës finlandeze. Një biznesmene e njohur ka thënë se kjo ndodh në “shërbimet fundamentale si ato të kujdesit shëndetësor dhe edukimi i kualitetit të lartë, që u ofrohen të gjithë qytetarëve”.
Megjithatë, kjo s’do të thotë që Finlanda s’ka probleme sociale, përfshirë alkoolin dhe ngacmimet seksuale. Në Finlandë, 23 për qind e grave në moshat nga 15 deri 49 vjeç kanë përjetuar dhunë nga partneri të paktën një herë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. Në krahasim me shtetet tjera s’qëndron larg.
Racizmi është tjetër problem. Sipas një raportit të vitit 2020, katër nga pesë njerëz me rrënjë afrikane kanë përjetuar diskriminim në baza racore.
Por në të njëjtën kohë, Finlanda është ndër liderët e botës në përpjekjet për të arritur jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Shërbimet publike dhe shkollat e saj janë ndër më të mirat në botë.
Pjesëmarrja e madhe e grave në vendimmarrje ka ndihmuar në ndërtimin e shtetit që është gjithmonë ndër të parët e botës së zhvilluar, sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara që ka thënë se Finlanda i ka arritur të gjitha ose i është afruar përpikërisë së qëllimeve të Kombeve të Bashkuara për përmirësim të shëndetësisë, edukimit, largim të varfërisë e reduktim të pabarazisë.
Finlanda ka treg të lirë dhe ka ndër kompanitë më të mira në botë.
“Pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e grave në shoqëri e ka bërë të mundur zhvillimin e Finlandës”, ishte shprehur kryeministrja Marin vitin e shkuar në fjalimin në një forum për barazi. “Një qind vjet më herët, Finlanda ishte shoqëri e varfër dhe e shkatërruar nga lufta. S’mund ta injoronim potencialin e gjysmës së popullit tonë”.
Rruga Press